Drejtësia

Korrupsioni, SPAK kërkon 3 vite e 6 muaj burg për prokurorin e Sarandës

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon 3 vite e 6 muaj burg për Sali Hasën, ish-prokurorin e Sarandës i akuzuar për korrupsion.

Gjatë leximit të konkluzioneve të dosjes, përfshihet edhe kërkesa që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Hasa, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal, pushoi një çështje për një të akuzuar pasi mori para.

Po ashtu, janë dhënë pretencat edhe për të arrestuarit e tjerë: Emiljano Mirani 2 vite e 6 muaj burg; Elsona Papa 1 vit burg; Napolon Hodaj 2 vite burg; Julian Zera 1 vit e 3 muaj burg; Markelian Alinani 3 vite e 6 muaj burg; Qerim Ruçi 2 vite e 6 muaj burg dhe Bledar Hajredini 2 vite burg.

Në raste se të dyshuarit shpallen fajtorë nga gjykata atyre do t’u ulet 1/3 e dënimit për shkak se procesi po zhvillohet me procedurat e gjykimit të shkurtuar.

Hasa u arrestua nga SPAK pasi dyshohet për korrupsion. Ai akuzohet se i mori një shumë parash shtetases Elsiona Papa, për t’i pushuar dosjen vëllait të saj Emiljan Mirjanit, pasi akuzohej dhe ishte vënën nën hetim për plagosje.

Referuar dosjes së prokurorisë, Papa është fotografuar në zyrën e prokurorit së bashku me Edison Korkutin, i cili u plagos nga vëllai i saj.

Ndërkohë që i njëjti hetim ka dërguar në pranga edhe një arbitër sportiv dhe zyrtarin e klubit të futbollit të Përmetit të akuzuar për trukime ndeshjesh.

I gjithë hetimi ka nisur në vitin 2020, pas përgjimeve të dala nga një tjetër dosje që ishte në hetim në atë kohë ndaj një grupi dyshuar për trafik droge dhe korrupsion tek zyrtarët e drejtësisë.

Bëhet fjalë pikërisht për dosjen ndaj gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, ndërsa përgjimet e kryera nxorën në pah fakte lidhur me prokurorin e Sarandës  Sali Hasa, dhe oficerin e kësaj prokurorie Napolon Hodaj.

Provat që disponon SPAK për të gjithë të akuzuarit, janë disa përgjime, pamje filmike dhe vëzhgime në terren.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë