Politike

“Korrupsion, nepotizëm dhe abuzime seksuale në burgje”

gazetasi

Deputeti Lefter Maliqi akuzoi për tendera korruptivë, emërime nepotike e deri tek abuzime seksuale me punonjëset femra në sistemin shqiptar të burgjeve.

Maliqi thirri në një interpelancë në Kuvend këtë të enjte ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj që e akuzoi për këtë drejtpërdrejtë bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.

Deputeti akuzoi se vlera e tenderave fryhet artificialisht, duke sjellë si shembull çmimin e vezës, që sipas tij, në një tender nga 14 lek në treg, për të burgosurit është blerë me 21 lek.

“Tenderat për ushqime në burgje korruptive, tender emergjent 347 milionë për bukën e të burgosurit. E njëjta firmë fiton edhe tenderin tjetër prej 250 mln për djathë e qumësht. Firma u kap me shkelje, por tenderin ja kalon djalit të tij. 600 e ca milionë lekë për ilaçe dhe nevoja emergjente për të burgosurit e sëmurë nga një firmë. 3.5 milionë tani në kohën e pandemisë dhe shumë tendera të tjerë, atë të vezëve, nga nga 14 lek që është çmimi i vezës në tregun e pakicës në 21 lek”, u shpreh ai.

Maliqi akuzoi më tej Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për shkelje të ligjit me emërimet e komanduara përtej afateve dhe për largimin e punonjësve që ishin pengesë në skemat korruptive.

“250 janë komandimet në sistemin e burgjeve, që nga nëndrejtori i përgjithëm, hoqët shefin e personelit, mikun e Xhemal Qefalisë, që i bënte fushatën. Hoqët drejtorin Juridik, mikun e Majkos. Hoqi edhe disa drejtorë të tjerë, për të patur situatën e nën kontroll, për të bërë ça i do kokrra e qejfit. Vartësin e vëllati e ka emëruar drejtor burgu", vijoi më tej Maliqi.

Deputeti i opozitës parlamentare foli edhe për abuzime seksuale në sistemin e burgjeve.

“Ai bën edhe sfilata mode në zyrë. I doni me foto ju? Janë edhe 2 police të tjera në Korçë, që i kanë shkuar në zyrë këtij drejtori barkderr dhe kanë denoncuar për abuzime seksuale me eprorët e këtyre dhe ky ça bën?! I çon në detyra më të vështira policet dhe drejtorët i mban të komanduar”, tha Maliqi.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj hodhi poshtë akuzat. Ajo renditi një sërë reformash në sistemin e burgjeve, duke u ndalur tek sistemi 41bis, që sipas Gjonajt ka shkëputur lidhjet e të burgosurve me krimin jashtë qelisë.

Gjonaj nënkuptoi se Lefter Maliqi po bën protagonizëm me këtë çështje për të realizuar ambicien e tij për t’u rizgjedhur deputet.

“I keni merak burgjet, se periudha më e gjatë e punës ka qenë në institucionet e mia të varësisë. Nuk e di, mbase ju nevojitet kjo gjë se mbase ju ndihmon që të bëheni deputet. Por, në fund të fundit janë vlerësimet dhe raportet që kanë rëndësi për mua”, tha Gjonaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë