Lajme

Korrupsion me bizneset në Velipojë, pranga 2 inspektorëve bashkiakë

Në sajë të operacionit policor “Akomoduesi”, Policia ka vënë në pranga dy inspektorë të taksave që punonin në Bashkinë e Shkodrës.
Sipas policisë, arrestimi i tyre erdhi pasi dyshohet të jenë përfshirë në një skemë korrupsioni me bizneset në plazhin e Velipojës.
Pas kontrolleve të ushtruara janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të Bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.
Për këto shkelje, policia ka vënë në pranga shtetasit:
B. P., 32 vjeç, banues në Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;
I. M., 63 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër;
Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër.
Siç njofton policia, këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.
Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e hotelit, shtetasin P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë