Dy punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Ata kanë marrë para për të mos ndëshkuar me gjobë personat që ndërtonin pa leje në territorin e bashkisë Kamzë.
Operacioni policor i koduar “Supervizori”, u krye nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.
“Pas një pune hetimore 6-mujore, u ekzekutuan 2 masat e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit:
-Dritan Nikolli, 47 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë;
– Ermal Baci 36 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një periudhe 6-mujore, qytetarëve të ndryshëm në zonën e Bashkisë Kamzë, të cilët i konstatonin duke kryer ndërtime pa leje, u kanë kërkuar dhe u kanë marrë shuma monetare, në kembim të mosndëshkimit të tyre me masa administrative, sipas legjislacionit ne fuqi.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.