Treg

Korrigjohet protokolli i sigurisë anti COVID-19, urbanët e Tiranës nisin punë të hënën

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas bën me dije se të hënën operatorët e transportit publik në Tiranë do të nisin punën pa asnjë përjashtim. Kjo pasi është rënë dakord me bashkinë Tiranë për korrigjimn e protokollit të sigurisë anti COVID-19 duke mos ia lënë përgjegjësinë ligjore të përmbushjes së këtij protokolli operatorëve.

“Pas zgjidhjes së pjesëshme të kërkesave tona, tashmë të bëra publike, në marrëveshje me Kryetarin e Bashkisë, z.Veliaj, Ju bëjmë me dije vendimin e të gjithë operatorëve të transportit publik në qytetin e Tiranës për rifillimin e shërbimit të transportit qytetës në Tiranë në kushte të reja në përputhje me stuatën epidemike. Bashkia Tiranë, sipas kërkesës tonë, ka rishikuar dhe ka bërë ndryshimin e protokollit të sigurisë, ku ndër të tjera, sipas legjislacionit në fuqi, ka lehtësuar përgjegjësinë ligjore të operatorëve duke bërë të mundur operimin në linjë.”- citon deklarata e shoqatës.

"Bazuar nga sa më lart, ne, operatorët e transportit publik në Tiranë, shprehet shoqata, kemi marrë vendimin për të rifilluar shërbimin në linja me kapacitete të përshtatura me kushtet e reja, në respekt të kërkesës së Kryetarit të Bashkisë dhe të qytetarëve të Tiranës, me qëllim mundësimin e ofrimit të këtij shërbimi në qytet".

Ndërkohë me Bashkinë Tiranë, thotë ajo, do të vijojnë diskutimi i kushteve për hartimin e një kontrate shtesë me kushte dhe afate të përcatuara për zbatim nga secila prej palëve (bashkia dhe operatorët).

“Moszabtimi i kushteve të kontratës shtesë do të përbëjë shkak në ditët në vijim për rindërprejen e këtij shërbimi.Mbetemi shpresëplotë se do të plotësohen edhe kërkesat tona ekonomike, të dakortësuara në marrëveshjen me bashkinë, pasi në rast të kundërt, situata e krijuar do të na çojë drejt falimentit të sigurt. I bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të transportit publik, të respektojnë protokollin e sigurisë #antiCovid-19, për shëndetin e tyre dhe të stafit tonë.”- citon shoqata në deklaratë.

Transporti urban në vend ka ndërprerë punë që në mesin e muajit mars pasi qeveria urdhëroi izolimin e vendit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë