Politike

Korporata e Investimeve, PD: 5 pikat që tregojnë si do të vjedhë Rama!

Partia Demokratike akuzon se projektligji i Korporatës së Investimeve që pritet të miratohet e bën Edi Ramën pronar de facto të çdo pasurie publike të paluajtshme në Shqipëri.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku thotë se projektligji shmang çdo përgjegjësi për dështimin e investimeve të Korporatës, ndërsa shton se me lejen e Edi Ramës, prona publike i kalon menjëherë bankës, duke realizuar tjetërsimin e pronës publike nga shteti te privatët.
Tabaku tha se ligji që krijon Korporaratën e Investimeve ka 5 pika kyçe që tregojnë hapur qëllimin e Edi Ramës për të grabitur pronën publike përpara se të largohet nga karrigia që e ka blerë me paratë e krimit dhe të oligarkëve.
"Korporata e Investimeve përjashtohet nga ligji i Prokurimeve Publike.

Korporata e Investimeve është e lirë të marrë kredi, e pakontrolluar nga askush dhe në rast të mosshlyerjes së saj, të humbasë pronën publike që do të vendosë si garanci.

Ligji është një skemë gjigante korrupsioni, sepse parashikon daljen në bursë të pronave publike të Korporatës.

Ligji shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit lokal, duke u rrëmbyer pronat e bashkive për t’i vendosur në fondin e Korporatës së Investimeve, të drejtuar de facto nga Edi Rama.

Ligji i Edi Ramës zhduk konkurrencën e lirë dhe cenon rëndë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian”, shprehet Tabaku.

Ish-deputetja deklaron se nëse “ky ligj miratohet në Parlamentin e dalë nga vota e blerë me paratë e krimit të organizuar dhe të oligarkëve të Edi Ramës, Partia Demokratike angazhohet ta anulojë atë në ditën e parë të qeverisë së saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë