Treg

Koronavirusi ul stokun e kredisë së re në mars

Urdhri për izolim me qëllim parandalimin e përhapjes më tej të koronavirusit dhe  bllokimi i shumë prej aktiviteteve të ekonomisë në vend, ka ndikuar thekshëm edhe tek kredia e re në muajin mars.

Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku I kredisë së re të dhënë në lekë qe 6.4 miliardë lekë, ose sa 1/2 e mesatares mujore të kredisë së re të dhënë përgjatë vitit 2019. Krahasuar me muajin paraardhës, kredia ka rënë me 35%.

Tkurjja e kreditimit ka qenë më e madhe në monedhën euro. Sipas raportimeve të BSh-së, në mars janë dhënë 32 milionë euro kredi në eur, që konsiderohet si niveli më i ulët mujor i raportuar që nga viti 2015. Në krahasim me mesataren mujore të 2019-ës, kredia në euro është po ashtu sa 1/2.

Kredia në valutë përbën gati gjysmën e portofolit të kredisë për ekonominë, megjithëse në vitet e fundit ka një tendencë të zhvendosjes së huadhënies drejt lekut, sidomos në segmentin e individëve pas nismës së Bankës së Shqipërisë për deuroizimin e ekonomisë.

Stoku i kredisë për ekonominë, kredi e marrë nga bizneset dhe individët në fund të muajit mars arriti në 597,4 miliardë lekë, ose rreth 4.8 miliardë euro. Me një rritje vjetore 9.2%.

Rritja e portofolit të kredisë siç e shpjegojnë ekspertët është kryesisht e lidhur me efektin e kursit të këmbimit. Në fund të muajit mars, euro arriti vlerën e 131 lekëve. Mandej u qetësya më tej përgjatë muajit prill duke u mbiçmuar me gati 7% krahasuar me muajin shkurt.

Por, vlera e portofolit të kredisë në valutë është konvertuar me kursin e fundit të muajit mars, që do të thotë se ka dhënë një efekt të konsiderueshëm statistikor.

Sipas segmentëve, kredia për biznesin u rrit me rreth 4% dhe mbetet shtylla kryesore e kreditimit të ekonomisë me rreth 60% të portofolit total. Në segmentin e individëve, rritja ishte rreth 2%.

Pasojat e Covid-19 në ekonomi, siç është shprehur edhe guvernatori Gent Sejko,  pritet të ndikojë në ngadalësimin e kreditimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë