Treg

Koronavirusi, turistët e munguar kinezë rrënojnë industrinë globale të udhëtimeve

Vendet rreth e qark botës kanë qenë përherë të uritur për të rritur fitimet e tyre nga fuqia blerëse e udhëtarëve kinezë. Dyqanet reklamojnë shitës që flasin gjuhën mandarine, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia ofrojnë viza 10-vjeçare e hotelet dhe shitësit me pakicë pranojnë aplikacionet Alipay dhe WeChat Pay të Kinës.

Bumi i udhëtimeve ka ndalur në mënyrë marramendëse që nga fundi i janarit, kur shpërthimi i novelës së koronavirusit u përhap në territorin e Kinës dhe mund të kalojnë vite të tëra përpara se industria globale e turizmit të rimëkëmbet.

Për të parandaluar përhapjen e virusit, miliona kinezë po ndjekin këshillat, fluturimet janë anuluar dhe vendet po vendosin kufizime për këdo që vjen nga territori i Kinës.

Efektet goditëse po ndjehen në të gjithë globin. Grupet turistike dhe linjat e trageteve po anulojnë udhëtimet për shkak të rënies së kërkesës. Panairet ndërkombëtare dhe konferencat nga Hong Kongu në Itali janë shtyrë për një kohë të papërcaktuar. Dhe hotelet që zakonisht mirëseardhin turistët kinezë janë boshatisur.

Shpenzimet miliarda dollarëshe të kinezëve janë në rrezik

Numri i turistëve kinezë është rritur në vitet e fundit. Më shumë se 180 milionë kinezë kanë pasaporta, krahasuar me rreth 147 milion mbajtës të pasaportave amerikane. Dhe kur kinezët udhëtojnë jashtë vendit, ata shpenzojnë shuma të mëdha.

Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë të Kombeve të Bashkuara, turistët kinezë kanë bërë 150 milion udhëtime jashtë vendit të tyre në vitin 2018-të, duke shpenzuar 277 miliardë dollarë në udhëtimet e tyre.

Për Azinë, fluksi i udhëtarëve kinezë ka qenë një ndihmë e mirë. Vitin e kaluar, 10 destinacionet më të prefreruara për udhëtarët kinezë ishin të gjitha në Azi, sipas Outbound China Research. Kjo do të thotë se vende si Tajlanda, Korea e Jugut dhe Vietnami kanë shumë për të humbur nga shpërthimi i virusit të ri. Hong Kong dhe Macao, të dy destinacione kryesore për turistët në kontinent do të vuajnë gjithashtu.

"Kina është tregu i vetëm më i madh në botë përsa i përket shpenzimeve në udhëtim," tha Mattheë Dass, një ekspert në fushën e turizmit.

Ekonomia e Turizmit në fillim të këtij muaji uli parashikimin e saj për vitin 2020 për udhëtimet kineze për shkak të koronavirusit. Kompania tha se nëse shpërthimi zgjat më shumë dhe është më i rëndë sesa kriza e SARS në 2003, mund të çojë në 25 milion më pak udhëtime dalëse nga udhëtarët kinezë këtë vit. Kjo mund të sjellë humbjen e deri në 73 miliard dollarëve shpenzime.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil tha që vendet më të goditura ka të ngjarë të jenë Japonia dhe Tajlanda.

Organizata vlerësoi në fillim të këtij muaji se Japonia mund të humbiste 1.29 miliardë dollarë në të ardhura nga turizmi, e ndjekur nga Tajlanda me 1.15 miliardë dollarë.

"Kjo është përtej çdo imagjinate," tha Jane Sun, CEO i Trip.com.

Trip.com, platforma më e madhe kineze on line, supozohej që të deklaronte  fitimet e tremujorit të katërt të 2019-s këtë javë, por do t'i vonojnë deri në mes të marsit. Kompania gjithashtu posedon dhe operon Skyscanner dhe Ctrip.

Numrat përfundimtarë janë akoma duke u shtypur, por Sun tha që kompania "sigurisht" do të marrë një goditje nga shpërthimi. Ajo paralajmëroi se ndikimi në kompaninë e saj dhe industrinë e udhëtimit gjatë këtij tremujori "mund të jetë i rëndësishëm".

Hotelet dhe linjat ajrore përballen me humbje të mëdha

Marriott (MAR) tha të enjten se po përjeton ulje të ardhjeve në të gjithë rajonin e Paqësorit Aziatik për shkak të shpërthimit. Në Macao, ardhja është ulur me 1%, CEO dhe presidenti Arne Sorenson tha në një bisedë me investitorët. Territori gjysmë-autonom kinez, një nga kryesorët e lojërave të fatit në botë, mbylli kazinotë për dy javë këtë muaj për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Drejtuesit e Marriott paralajmëruan se kompania mund të regjistrojë deri  60 milion dollarë më pak në zërin e të ardhurave për rajonin sesa pritej fillimisht për tremujorin.

Ndërsa virusi përhapet në vendet e tjera, hotelet e Marriott në Europë dhe më gjerë gjithashtu po fillojnë të ndiejnë dhimbjen.

"Nëse përmendim Korenë e Jugut dhe Italinë, flasim për anulime udhëtimesh që pasojnë me rënie të të ardhurave në ato tregje", tha Sorenson. “Në disa prej qyteteve italiane, me siguri kemi humbur disa dhjetëra pika akomodimi në ditët e para".

Gjatë një telefonate për të ardhurat në fillim të këtij muaji, drejtuesit e Hilton (HLT) paralajmëruan rënie të mundshme të prenotimeve nga udhëtarët kinezë në Azi dhe Shtetet e Bashkuara. Humbja parashikohet të jetë mes 25 deri në 50 milion dollarë prej të ardhurave të të gjithë vitit të kompanisë, tha CEO dhe presidenti Christopher Nassetta.

Industria ajrore globale po përballet gjithashtu me humbje të mëdha financiare dhe rënien e saj të parë të trafikut në më shumë se një dekadë për shkak të koronavirusit.

Autoriteti Ndërkombëtar i Transportit Ajror (IATA) paralajmëroi javën e kaluar se ndikimi në kërkesë mund t'i kushtojë linjave ajrore më shumë se 29 miliardë dollarë.

Përhapja gjithashtu do të ulë trafikun global me 4.7%, duke e zëvendësuar parashikimin e mëparshëm të IATA për rritje dhe duke shënuar rënien e parë të përgjithshme të kërkesës që nga kriza globale financiare e 2008-ës dhe 2009-ës.

Dhjetëra transportues ndërkombëtarë kanë anuluar ose ulur shërbimet për Kinën kontinentale.

Air France-KLM (AFLYY) paralajmëroi se fitimet e saj mund të binin deri në 216 milion dollarë midis shkurtit dhe prillit për shkak të shpërthimit të epidemisë.

Qantas Airlines e Australisë (QABSY) tha që virusi mund të shpjerë në humbjen e 100 milion dollarëve fitim të kompanisë nga gjysma e dytë e vitit fiskal. Kina është burimi më i madh i turistëve në Australi.

Industria e lundrimit në krizë

Kina pritej të bëhej tregu më i madh i lundrimeve në botë deri në vitin 2030, sipas një studimi të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Transportit në Shanghai. Por kriza e anijes Diamond mund të prishë planin.

Anija u bë një hapësirë karantine në fillim të këtij muaji, pasi dhjetëra pasagjerë u infektuan me koronavirus. Rreth 700 raste, përfshirë të paktën katër vdekje, janë lidhur me shpërthimin e epidemisë në anije.

"Kina mund të jetë e mbyllur për udhëtime lundrimi për një vit ose më shumë dhe madje pasi të rihapet, shumë konsumatorë të mundshëm mund të kenë një asosacion negativ me udhëtimin e lundrimit, i cili mund të kufizojë trajektoren e rritjes afatgjatë", tha James Hardiman, një analist .

Kina ishte tregu i dytë më i madh për pasagjerët e anijeve të lundrimit në vitin 2018, me afro 2.4 milion lundrime kineze atë vit, sipas raportit më të fundit botëror të pasagjerëve nga Shoqata Ndërkombëtare e Lundrimeve. Shtetet e Bashkuara mbetën tregu i lartë, me më shumë se 13 milion amerikanë që udhëtojnë në një lundrim në 2018.

Ingrid Leung, drejtori menaxhues i Incruising Travel Asia, një kompani udhëtimesh me bazë në Hong Kong që shet paketa turistike, tha që prenotimet e reja aktualisht janë ulur në 95%.

Kjo është pjesërisht sepse kompania mëmë Princesha Cruises Carnival (ÇL) dhe Royale Caribbean Cruises prezantuan kufizime për shkak të shpërthimit të virusit, duke ndaluar çdo pasagjer që ka udhëtuar në territorin e Kinës dhe Hong Kong në dy javët e funditi.

Kufizimet janë në fuqi deri të paktën në fund të marsit, por Leung tha se rënia e biznesit të saj ka të ngjarë të vazhdojë deri në fund të vitit.

"Në vend që të synojmë të rrisim lundrimet në tremujorin e dytë ose tremujorin e tretë, me siguri kjo nuk do të ketë mundësi të ndodhë, por do të fokusohemi tek tremujori i katërt i 2020-ës ose më tutje," tha Leung.

Carnival tha në fillim të këtij muaji se ndikimi i koronavirusit në prenotimet globale dhe udhëtimet e anuluara "do të kenë një ndikim material të madh" në rezultatet financiare të kompanisë.

Udhëtimi i brendshëm kinez do të vuajë gjithashtu

Përhapja e koronavirusit shpërtheu gjatë festës së Vitit të Ri Kinez, në një kohë kur miliona njerëz në të gjithë Kinën udhëtojnë në shtëpi për tiu bashkuar festimeve me familjen. Pekini ndërmori hapin e jashtëzakonshëm për zgjatjen e festës deri në mes të shkurtit për të provuar dhe kontrolluar shpërthimin. Afërsisht gjysma e vendit mbetet nën kufizimet e udhëtimeve.

Sipas analizave dhe parashikimeve, koronavirusi mund të shpjerë në rënien me 90 milion të udhëtimeve të kinezëve për në shtëpi dhe 115 miliard dollarë në shpenzime të humbura, sipas skenarit më të rëndë të paraqitur nga Ekonomia e Turizmit.

InterContinental (IHG) ka mbyllur tërësisht ose pjesërisht 160 nga 470 hotelet e saj në Kinë, në rajonin që përfshin Tajvan dhe Hong Kong.

"Ne po shohim ulje të konsiderueshme të kërkesave për akomodim në muajin shkurt në të gjithë biznesin," tha shefi ekzekutiv Keith Barr gjatë prëzantimit të ardhurave në fillim të këtij muaji, duke shtuar se gjithë ç’po ndodh do t'i kushtojë kompanisë rreth 5 milion dollarë vetëm për muajin shkurt.

Airbnb po ndjen gjithashtu efektet. Kompania e akomodimit  tha se ka pezulluar të gjitha prenotimet në Pekin deri në maj, në përputhje me udhëzimet e qeverisë. Rezervimet në zona të tjera, përfshirë Wuhan, epiqendrën e shpërthimit, janë pezulluar deri në prill.

Linjat ajrore kineze gjithashtu do të goditen rëndë.

Firma hulumtuese Cirium zbuloi se më shumë se 200 mijë fluturime të brendshme në Kinë u anuluan midis 23 janarit dhe 18 shkurtit. Tre linjat ajrore më të prekura gjatë asaj kohe ishin transportuesit kinezë Lucky Air, China Southern (ZNH) dhe Xiamen Airlines - secila prej tyre anuloi gati 50% të fluturimeve.

Rimëkëmbja mund të zgjasë me vite

Deri më tani, tha Trip.com's Sun "miliona kërkesa janë anuluar", duke iu referuar udhëtimeve vendase dhe ndërkombëtare. Por ajo tha që kompania tashmë po sheh shenja positive të kërkesës.

Pas rënies për më shumë se një muaj, "duke qëndruar në shtëpi duke mos bërë asgjë, nëse shikojmë rezultatet e kërkimit tonë, shumë njerëz janë të gatshëm të dalin jashtë", tha ajo.

Miliona kinezë mund të jenë gati për të udhëtuar, por do të jetë e vështirë të kompensohet çfarë ëshët humbur.

Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit analizoi epidemitë virale kryesore të mëparshme dhe zbuloi se koha mesatare e rimëkëmbjes për numrat e vizitorëve në një destinacion ishte 19 muaj.

Ekonomia e turizmit tha se kërkesa kineze për udhëtime ka të ngjarë të fillojë të rritet më vonë këtë vit ose deri në 2021.

Por shërimi i plotë mund të zgjasë shumë më gjatë. Firma hulumtuese parashikon që tregjet e udhëtimit nuk do të rikuperohen plotësisht deri rreth vitit 2023./CNNbusiness/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë