Ne rrjet

Koronavirusi si armë biologjike terroristësh

Hetuesit federalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbuluan se grupe raciste të njohur si “Supremacistët e Bardhë” kanë diskutuar një plan për të përdorur koronavirusin si një armë biologjike kundër “armiqve të tyre”.

Yahoo News citon një raport javor të inteligjencës amerikane të nxjerrë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, që i referohej periudhës ditore nga 17 shkurti deri më 24 shkurt dhe mbante vulën e Shërbimit Mbrojtës Federal.

Në të thuhet se ekstremistët e dhunshëm kanë trajtuar gjerësisht mes njëri-tjetrit idenë e përdorimit të një arme biologjike.

“Ekstremistët e dhunshëm racistë të bardhë kanë komentuar në lidhje me koronavirusin e ri, duke deklaruar se është një detyrim për ta që ta shpërndajnë, nëse njëri prej anëtarëve të tyre infektohet”, thuhet në raportin e agjencive amerikane të inteligjencës.

Sipas “Yahoo News”, supremacistët e bardhë kanë përdorur aplikacionin Telegram për të diskutuar planet e tyre për përhapjen e virusit, duke këshilluar shënjestrimin e forcave ligjzbatuese, agjentët e punonjës të tjerë shtetërore, si dhe personat “jo të bardhë”. Përveç kësaj, ata nuk përjashtuan as shënjestrimin e vendeve publike për të shkaktuar sa më shumë kaos.

Raporti thotë se në planet e tyre, ekstremistët sugjeronin spërkalat nëpër dorezat e dyerve të personave që kërkonin të infektonin, pështyrja e butonave të ashensorëve, përhapjen e virusit nëpër lagjet e banorëve me ngjyrë dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në publik me persona të perceptuar si armiq.

Yahoo News thotë se ka zbuluar se i gjithë diskutimi ka nisur dhe është zhvilluar në një kanal privat në aplikacionin Telegram, kanal kushtuar filozofisë neonaziste, njohur si “Kultura e fitores”, që mbështet terrorizmin mbi baza racore për të nxitur një luftë civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë