Ne rrjet

Koronavirusi, Maqedonia e Veriut mund të anulojë zgjedhjet parlamentare

Maqedonia e Veriut mund të shtyjë zgjedhjet e parakohshme parlamentare për shkak të përhapjes së koronavirusit. Që prej zbulimit të rastit të parë, në vendin fqinj janë ndaluar të gjitha takimet elektorale për të mos çuar në përhapjen e mëtejshme të virusit,

Të enjten në mesditë, liderët e të gjitha partive do të mblidhen për të diskutuar mbi rrezikun që i kanoset vendit nga koronavirusi. Takimi u konfirmua edhe nga kreu i partisë opozitare VMRO-DPME, Hristijan Mickoski. Ai nuk komentoi nëse do të shtyhen apo jo zgjedhjet, por tha se gjithçka do të vendoset në takimin e kreve të partive.

Ndërkohë “Alsat M” shkruan se burime brenda qeverisë thonë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend, të caktuara për më 12 prill, do të shtyhen.

Në  Maqedoninë e Veriut ka deri më tani gjashtë persona të konfirmuar me koronavirus, ndërkohë që 200 të tjerë po mbahen në izolim pasi kanë  rënë në kontakt me të infektuarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë