Njerez

Koronavirusi i merr jetën mjekes endokrinologe në Tiranë

Doktoreshë Valentina Lile është e fundit në radhë që i shtohet listës së mjekëve shqiptarë që kanë humbur jetën nga Covid 19.

Lajmin e ka bërë të ditur Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, i cili njofton se mjekja endokrinologe nuk ia ka dalë të mposhtë koronavirusin.

Ndërsa Shoqata e Diabetit të Shqipërisë, në mesazhin e ngushëllimit, shprehet se me ikjen e doktoreshë Valit, shkenca humbi një mendje, mjekësia një pasuri, kolegët një hallkë të punës së tyre, një krah të djathtë, pacientët një engjëll mbrojtës.

Shoqata ngre shqetësimin se në 3 muaj kanë humbur jetën 5 punonjës shëndeti në Shërbimin e Endokrinologjisë.

“Ka humbur jetën nga Covid një mjeke tjetër. Ajo është dr. Valentina Lile, mjeke endokrinologe. Një ikje e padrejtë, e parakohshme, një dhimbje e papërshkrueshme, një humbje e madhe. Kur një mjek ikën, humbet e tërë shoqëria. Me ikjen e doktoreshë Valit, shkenca humbi një mendje, mjekësia një pasuri, kolegët një hallkë të punës së tyre, një krah të djathtë, pacientët një engjëll mbrojtës, Shoqata një bashkëpunëtore dhe pjesë të saj që në fillimet e saj, pacientët, që ka ndjekur, sa ka shëruar, sa e kanë uruar”.

Javën e shkuar, një tjetër mjek i Endokrinologjisë humbi jetën nga Covid 19. Doktor Gerond Husi u dërgua në Turqi për mjekim të specializuar, por pa mundur t’ia dalë.

Ndërkohë që në mesjavë, ka ndërruar jetë i infektuar me virusin e rreziksshëm, mjeku nefrolog nga Vlora, Fejzi Alushi, 67 vjeç, i cili vazhdonte të punonte edhe pse kishte dalë në pension.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë