Treg

Koronavirusi, çmimi i hudhrës në Shqipëri pritet të rritet, vjen nga Kina

Sabina Veizaj- Koronavirusi pritet të trondisë tregun e hudhrës në Shqipëri.

Me ndërprerjen e importeve nga Kina, tregu shqiptar do të ketë vështirësi për hudhrën e thatë që do të ndikojë në rritjen e çmimeve.

“Hudhra e vendit ka mbaruar. Tani ne tregtojmë hudhër importi që vjen nga Kina dhe Greqia. E shesim 100 lekë/kg. Kemi gjendje dhe për pak dhe për sasitë që kemi do të vazhdojmë me të njëjtin çmim, më tej nuk dimë; sipas situatës”- është ajo që thonë njëjtë disa tregtarë me pakicë në pika të ndryshme në kryeqytet.

Çmimet e hudhrave po rriten në të gjitha vendet. Arsyeja: zgjerimi i shpërthimit të koronavirusit po shkakton ndërprerje në zinxhirin e furnizimit në Kinë, prodhuesi më i madh në botë i perimeve.

Vitet e fundit, Kina ka qenë përgjegjëse për më shumë se 80% të furnizimit global të hudhrave. Më shumë se dy të tretat e hudhrës së freskët që importojnë SHBA vjen nga Kina, sipas bazës së të dhënave Comtrade të Kombeve të Bashkuara.

Në Kinë, çmimet me shumicë të hudhrës u rritën 13% në dy javët e para të shkurtit përkundrejt çmimit mesatar në janar, sipas të dhënave të qeverisë.

Sipas Uran Derrit, ekspert në tregtinë ushqimore çmimet e hudhrave në vend duke nisur nga muaji prill pritet të rriten deri në 4-fish.

“Situata e shpërthimit të koronavirusit në Kinë është një situatë e paprecedentë dhe e papritur. Tregjet janë të papërgatitura, përndryshe si Shqipëria dhe vendet e rajonit do të kishin prodhuar hudhër me shumicë dhe do të kishin prodhuar më pak produkte të tjera.

Ne eksportojmë hudhër në vendet e rajonit dhe Europë, kryesisht në vendet nordike dhe importojmë nga Kina, Greqia dhe Turqia.( Kina prodhon hudhër industriale.) Hudhra e vendit nuk na i plotëson nevojat, jemi popull që e konsumojmë shumë, prandaj importojmë.

Aktualisht tregtarët kanë rezerva. Në Prill nis sezoni kur importohet hudhra e thatë dhe në atë periudhë do të vërehet rritja e çmimeve, sepse Kina e ka bllokuar importin. Kjo sigurisht është një situatë e re, por duke u nisur nga situata të ngjashme në të kaluarën, vihet re një rritje deri në 4-fish e produktit” – shpjegon Uran Derri për gazetën “Si”.
Kurse Agim Rrapaj nga KASH thotë se kjo është një situatë e veçantë, e pandodhur më parë dhe nuk dihet si do të reagojë tregu.

Çfarë po ndodh në botë?

Kuti me hudhra për import nga Kina

Çmimet e shitjes me pakicë të hudhrave në SHBA tani janë në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2018, të nxitura nga shqetësimet se furnizimet mund të funksionojnë më pak në muajt e ardhshëm.

Gjatë dy javëve të para të shkurtit, hudhrat kushtojnë 29% më shumë se një vit më parë, sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë.

Çmimet me shumicë janë rritur edhe më shumë. Një qese prej 30 kg me hudhër të bardhë kineze të importuar në Kaliforni kohët e fundit u shit për 85 deri në 87 dollarë, me 60% rritje që nga fillimi i vitit, sipas të dhënave zyrtare. Në anën tjetër, çmimet për produktet e tjera bujqësore – si soja dhe pambuku – kanë rënë për shkak të pritjeve për kërkesë më të ulët kineze.

Prodhimi i hudhërve në Kinë është ngadalësuar që kur autoritetet bënë publiik alarmin për përhapjen e një virusi të ri që shkakton problem me frymëmarrjen para fillimit të festës së Vitit të Ri Lunar në fund të janarit. Qeveria kineze zgjati festën e saj kombëtare në shkurt për të dekurajuar njerëzit të udhëtojnë në distanca të gjata dhe që të mos binin në kontakt me të infektuarit.

Deri më tani, më shumë se 74,000 njerëz në Kinë janë infektuar me virusin e frymëmarrjes, i njohur si Covid-19, i cili ka shkaktuar më shumë se 2,000 të vdekur.

Disa qytete janë vënën nën karantinë nga shpërthimi i virusit dhe shumë linja ajrore kanë bllokuar lëvizjet me/nga Kina.

Fermat dhe ndërmarrjet logjistike po përballen gjithashtu me mungesa të punës, sepse miliona punëtorë ende nuk janë kthyer në punët e tyre pas festës, sipas analistëve bujqësorë.

Zakonisht duhen rreth nëntë muaj për të rritur hudhrat para se të korren, gjë që zakonisht ndodh një herë në vit gjatë verës. Mandej ato shiten gjatë vitit të ardhshëm. Një pjesë e madhe e hudhrave përpunohen përpara se të shiten.

Kina prodhoi rreth 22, 2 mld kg hudhër në vitin 2018, që është e dhëna më e fundit vjetore në dispozicion. Pjesa më e madhe ishte për konsum të brendshëm, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi.

Amerika importoi 90,2 mln kg hudhër të freskët atë vit. Nga kjo, rreth 70% u importuan nga Kina, sipas të dhënave të U.N. Comtrade.

Mesatarisht një amerikan konsumon rreth 1 kg hudhër në vit, sipas një raporti të Universitetit Shtetëror të Michigan. Aroma e hudhrës ka fituar popullaritet në SHBA dhe zakonisht përdoret në kuzhinat etnike të Azisë dhe Mesdheut. Disa njerëz gjithashtu janë duke shtuar më shumë hudhra në dietat e tyre sepse besojnë se ajo ka shumë përfitime shëndetësore.

Christopher Ranch, një nga prodhuesit dhe furnizuesit më të mëdhenj me hudhra të Amerikës, rrit rreth 45,3 mln kg hudhër në vit në fermat e tij në Kaliforni. Ai gjithashtu blen hudhër nga Kina dhe vendet e tjera dhe e shet atë nën një etiketë të ndryshme.

Kompania me bazë në Gilroy, Calif. ka arritur që kultivuesit në Argjentinë, Meksikë dhe Spanjë të ofrojnë më shumë hudhra në dritën e rritjes së çmimeve të fundit në Kinë, tha Ken Christopher, nënkryetari ekzekutiv dhe nipi i themeluesit të fermës.

“Është e vështirë tani të arrish hudhrat kineze dhe … është tepër e shtrenjtë,” tha ai.

Më Shumë