Futboll

Koreja e Veriut tërhiqet nga Lojërat Olimpike të Tokios, shkak koronavirusi

Koreja e Veriut ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike te Tokios, të cilat janë planifikuar për t’u mbajtur këtë verë, teksa shkak është situata e rënduar e pandemisë së koronavirusit.

Lajmi është bërë i ditur nga ueb-i zyrtar i Ministrisë së Sporteve në vend, që konfirmon se vendimi për të mos marrë pjesë në Olimpiadë është marrë gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar Olimpik më 25 mars dhe është bërë për të mbrojtur shëndetin sportistëve.

Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike të Tokios pritej me interes të madh edhe nga Koreja e Jugut, pasi dy vendet fqinje u afruan me njëra-tjetrën në Lojërat Dimërore të 2018-ës dhe e shihnin Olimpiadën e këtij viti si një mundësi për të forcuar disi marrëdhëniet mes tyre.

Pak ditë më parë u vendos që Lojërat Olimpike dhe ato Para-olimpike në Tokio të mbahen pa praninë e tifozëve nga vendet e tjera, për të menaxhuar më mirë situatën e krijuar nga pandemia. Rreth 600,000 bileta olimpike të blera nga persona me shtetësi të huaj do të rimbursohen, po ashtu edhe 300,000 bileta të tjera të Lojërave Paraolimpike, tha në një konferencë për shtyp Toshiro Muto, shefi ekzekutiv i komitetit organizues Tokyo 2020.

Lojërat Olimpike u shtynë vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19. Megjithëse pandemia e ka ftohur publikun ndaj kësaj veprimtarie të rëndësishme sportive, si organizatorët ashtu edhe Kryeministri Yoshihide Suga janë zotuar të mos i ndryshojnë planet për zhvillimin e Lojërave. Lojërat janë planifikuar për periudhën 23 korrik deri më 8 gusht, dhe paraolimpiadat nga 24 gusht deri më 5 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë