Bota

Koreja e Veriut: Sateliti spiun fotografoi Shtëpinë e Bardhë dhe Romën

Gazeta Si- Ambasadori i Koresë së Veriut bëri një paraqitje të rrallë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur lëshimin e një sateliti spiun nga vendi i tij, ndërsa udhëheqësi Kim Jong Un studionte imazhet e Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit.

Fuqitë perëndimore, Japonia dhe Koreja e Jugut thanë se Koreja e Veriut shkeli rezolutat e Këshillit të Sigurimit, duke lëshuar satelitin javën e kaluar.

Sa i përket satelitit, Pheniani tha se tashmë ka ofruar imazhe të vendeve kryesore ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe foto të Romës në Itali.

Kim, informoi agjencia e lajmeve KCNA, po shqyrton disa imazhe "të detajuara" të Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit në Uashington.

Në Këshillin e Sigurimit, ambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, Kim Song, u ankua se vendet e tjera nuk kanë kufizime për satelitët.

"Asnjë komb tjetër në botë nuk është në një mjedis kaq kritik të sigurisë sa Republika Popullore Demokratike e Koresë", - tha Kim, duke përdorur emrin zyrtar të Veriut, Republika Popullore Demokratike e Koresë.

“Një palë ndërluftuese, Shtetet e Bashkuara, na kërcënon me një armë bërthamore, - nënvizoi ai. - Është një e drejtë legjitime për DPRK-në, si një palë tjetër ndërluftuese, të zhvillojë, testojë, prodhojë dhe zotërojë sisteme armësh të barasvlershme me ato që Shtetet e Bashkuara posedojnë ose po zhvillojnë”.

Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, hodhi poshtë pretendimin e Koresë së Veriut se po vepronte në vetëmbrojtje dhe tha se stërvitjet e përbashkëta midis SHBA dhe Koresë së Jugut ishin "rutinë" dhe "në natyrë mbrojtëse".

"Ne reduktojmë qëllimisht rrezikun dhe ndjekim transparencën duke njoftuar stërvitjet, duke përfshirë datat dhe aktivitetet, paraprakisht, ndryshe nga DPRK" - tha ajo, duke shtuar se ushtrimet nuk shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë