Ne rrjet

Koreja e Veriut pushkaton të dyshuarit me koronavirus

Si pasojë e sanksioneve të forta ndërkombëtare, të cilat nuk zbatohen vetëm nga ana e Kinës, Koreja e Veriut mbështetet gjerësisht tek produktet kineze për të plotësuar nevojat minimale të tregut të brendshëm të saj.

Për këtë arsye, mes dy vendeve ka një qarkullim relativisht të madh mallrash dhe njerëzish. Megjithatë, Peniani deri më tani nuk ka raportuar zyrtarisht asnjë rast me koronavirus, epideminë që po terrorizon vendet e tjera të botës.

Siç shkruajnë mediat në Korenë e Jugut, fill pas përhapjes masive të rasteve me këtë virus vdekjeprurës, diktatori Kim Jong-un vendosi në fuqi ligjin ushtarak. Sipas këtij ligji, të gjithë personat që vizitonin Kinën me t’u kthyer në atdhe mbahen në karantinë për disa javë, pavarësisht nëse janë apo jo të infektuar nga virusi.

Foto nga një mbledhje e Qeverisë korano-veriore. Gazeta Si, shkurt 2020

Ndaj cilitdo që e shkel këtë rregull dënimi është kapital. Mediat koreano-jugore thonë se një tregtar u pushkatua në fillim të kësaj jave pasi kishte lënë karantinën dhe ishte parë tek banjot publike. Të njëjtat burime thonë se personi në fjalë nuk kishte shfaqur asnjë simptomë të koronavirusit, madje as të një gripi të thjeshtë.

Megjithatë, ai u fut në karantinë në bazë të ligjit ushtarak dhe vendimi për të dalë nga karantina i kushtoi jetën. Dyshohet se raste të ngjashme ka plot, ku janë me dhjetra persona që janë internuar nëpër miniera, ose fermat e përbashkëta të vendit për shkelje të vendimit dhe dalje nga karantina.

Koreja e Veriut i mban në karantina personat që kthehen nga Kina për më shumë se 30 ditë, nga 14 ditë që është afati i këshilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Nga frika e virusit, vendi komunist thuajse ka mbyllur plotësisht kufirin me Kinën, ndërkohë që janë reduktuar edhe fluturimet dhe qarkullimet me mjete. Në fuqi ka hyrë gjithashtu edhe vendimi për të ndaluar çdo të huaj që të hyjë në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë