Bota

Koreja e Veriut lëshon 200 predha artilerie, Seuli evakuon dy ishuj në kufi dhe kundërpërgjigjet

Gazeta Si - Koreja e Jugut urdhëroi civilët të evakuonin ishujt Yeonpyeong dhe Baengnyeong përgjatë kufirit të saj me Veriun në Detin e Verdhë, pasi Pheniani qëlloi rreth 200 predha artilerie në brigjet e saj perëndimore.

Lajmin e konfirmoi Ministria e Mbrojtjes, duke folur për një “akt provokues” të Koresë së Veriut. Seuli iu përgjigj zjarrit, duke gjuajtur municion të vërtetë nga artileria e tij në ishullin Yeonpyeong në kufi.

Shkëmbimi i artilerisë mes dy Koreve është i pari që nga nëntori i vitit 2023, kur të dy vendet u tërhoqën nga një marrëveshje për të shmangur incidentet ushtarake, e cila kishte zgjatur që nga viti 2018.

Fjalët e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong nxitën gjithashtu klimën e tensionit, i cili gjatë një vizite në një fabrikë armësh kërkoi rritjen e prodhimit të raketave.

Precedenti në 2010 - Sa i përket veprimit të Koresë së Veriut, autoritetet lokale të Yeonpyeong specifikuan se ishte një "masë parandaluese".

Ishulli i Koresë së Jugut ndodhet në Detin e Verdhë, rreth 80 km në perëndim të Incheon dhe 12 km në jug të bregut të provincës Hwanghae të Koresë së Veriut.

Në vitin 2010, Pheniani gjuajti 170 predha artilerie në Yeonpyeong, duke vrarë katër persona, përfshirë dy civilë, në sulmin e parë të Koresë së Veriut kundër civilëve që nga Lufta Koreane (1950-1953).

Seuli kundërpërgjigjet - Para se të kundërpërgjigjej me zjarri, ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se sulmi me artileri i Koresë së Veriut, ishte një "akt provokues" dhe i kërkoi Phenianit të ndalonte, duke paralajmëruar se Seul do të marrë "masa të përshtatshme" si kundërpërgjigje.

"Ky është një akt provokues që kërcënon paqen në Gadishullin Korean", tha ministria e Mbrojtjes së Jugut në një deklaratë, duke i kërkuar Veriut "të ndërpresë menjëherë këto veprime" dhe duke paralajmëruar se do të marrë "masat e duhura në përgjigje".

Pheniani dhe furnizimi me armë në Moskë - Disa orë para të shtënave, lideri i Koresë së Veriut kishte marrë një kërkesë për të rritur prodhimin e raketave.

Një njoftim, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Kcna, erdhi në përgatitje për një "përplasje ushtarake" me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë të enjten tha se Pheniani e furnizoi Moskën me raketa balistike dhe sisteme shpërndarjeje të përdorura në sulmet e mëdha në ditët e fundit kundër Ukrainës.

"Informacionet tona tregojnë se Koreja e Veriut ka furnizuar së fundmi sisteme lëshimi dhe disa raketa balistike për Rusinë", - tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Kirby.

Sipas zyrtarit amerikan, forcat ruse lëshuan raketa të furnizuara nga Pheniani drejt Ukrainës më 30 dhjetor dhe 2 janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë