Lajme

Korçë, ndërron jetë në paraburgim 27 vjeçari, familjarët akuza policisë

Ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore për 27-vjeçarin Enea Ftoj, i cili vdiq të enjten  në ambientet e paraburgimit të Korçës. Tre ekspertë, dy të pavarur dhe një i Institutit të Mjekësisë Ligjore, kryen ekspertizën e trupit të pajetë të 27-vjeçarit. Përgjigjja e ekspertizës pritet të dalë pas tre javësh.

Në njoftimin e saj Policia e Korçës deklaron se “nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga informacionet paraprake dyshohet se viktima, ka qenë përdorues i lëndëve narkotike”.

Familjarët kanë akuzuar policinë se ka dhunuar 27 vjecarin dhe ky është edhe shkaku i vdekjes.

Të mbështetur edhe nga anëtarë të tjerë të komunitetit rom ata protestuan para komisariatit të Korçës.

Pas akuzave ndaj policisë, se e kanë dhunuar, familjarët kanë tërhequr trupin e pajetë të të afërmit të tyre.


Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për vdekjen e 27 vjeçarit brenda qelisë së komisariatit të Policisë. Në funksion të hetimit janë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe u morën në pyetje efektivët e policisë që ishin në detyrë.

27 vjeçari, baba i tre fëmijëve, i dyshuar për vjedhje me dhunë, u arrestua tre ditë më parë në flagrancë në qytetin e Korçës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë