Lajme

Korça kundër TEC-it

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo është shprehur hapur kundër projektit për ndërtimin e TEC-it në këtë qytet.
Për refuzimin e këtij projekti, ai i është drejtuar me një letër zyrtare ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Ai kërkon refuzimin e kërkesës së kompanisë GPP për ndërtimin e një TEC-i me gaz në afërsi të qytetit të Korçës.
“Ju kërkoj mosaprovimin e këtij investimi, i cili në çdo rast nuk do të mund të realizohet do të kundërshtim me vullnetin e Bashkisë së Korçës”, shkruan kryetari i Bashkisë Korçë.
Më herët, dhjetëra banorë të fshatit Sheqeras, në Korçë, kanë protestuar, pasi kundërshtojnë ndërtimin e TEC-it në fshatin e tyre. Banorët u shprehën se janë kundër projektligjit të qeverisë , pasi ndërtimi i TEC-it do të kthejë zonën në një hapësirë të pabanueshme.
Projekti, që u njoftua pak kohë më parë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ka marrë statusin e investitorit strategjik me kusht nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Projekti parashikon realizimin në zonën e Korçës të një termocentrali me cikël të kombinuar me rendiment të shndërrimit të energjisë termike në energji elektrike me 60% ose 5990 kj/kwh me kapacitet 480.9 MW.
Sipas projektit, synimi është që të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 909 182 metër në Korçë, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë, Barç, Zëmblak, Malavec, Nevicisht për realizmin e termocentralit, lidhjes me TAP, lidhjes me sistemin e ujit, ndërtimin e shtyllave të linjës së transmetimit dhe ndërtimin e shtresës së nënstacionit Zëmblak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë