Lajme

Kopshti Botanik, Fakulteti i Shkencave: Të gjithë në gjyq ta mbrojmë

Kalimi i Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës do të përfundojë në dyert e Gjykatave. Këtë e paralajmëron Fakulteti i Shkencave të Natyrës që ka zhvilluar një mbledhje urgjente mbi çështjen e kalimit në pjesës më të lakmueshme të Tiranës në varësi të bashkisë së kryeqytetit.
Asambleja e FNSH-së në një deklaratë për median thekson se ndjehet e keqardhur që Ministria e Arsimit procesin e transferimit të Koshtit Botanik, të iniciuar që në tetor 2017 nga bashkia e Tiranës, nuk e ka bërë transparent asnjëherë dhe asnjërës prej strukturave drejtuese të Universitetit të Tiranës, për më tepër kur vetë nga bashkia ngrihet akuza për “disinformim” nga Rektorati dhe FNSH-ja.
Më tej theksohet se kjo shkresë, e cilësuar si në kundërshtim me me kuadrin ligjor që rregullon marrëdhëniet mes institucioneve publike, dhe se përmban shtrembëriime dhe fakte të pavërteta në kohë dhe në përmbajtje.
“Të shqetësuar për fatin e Kopshtit Botanik dhe në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor, Asambleja unanimisht mori vendim për të përcjellë nga afër të gjitha hapat e këtij procesi, me praninë e të gjithë trupës së saj para Gjykatës Administratës të Apelit, të mërkurën më 9 tetor, me shpresën e një vendimi të drejtë në favor të shpëtimit të këtij institucioni unik me vlera kombëtare të pazëvendësueshme”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kjo Asamble. Edhe rektori i universitetit, Mynir Koni e ka kundërshtuar vendimin e qeverisë, duke e cilësuar si një shkelje të autonomisë universitare.
“I jam drejtuar Ministrisë së Arsimit që ka propozuar aktin për daljen e kësaj VKM-je për të cilën ne nuk kemi asnjë lloj reagimi nga Ministrja e Arsimit. Në këto kushte, drejtoria ligjore ka bërë padi në Gjykatën Administrative të Apelit dhe jemi në pritje të saj. Unë si rektor i Universitetit dhe të gjithë autoritetet përkatëse jemi në pritje të vendimit për këtë VKM”, theksoi Koni.Më herët nga bashkia e Tiranës është bërë e ditur se Kopshti Botanik do të duhet të bashkohet me atë Zoologjik për të krijuar një hapësirë më të madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë