Lajme

“Kopraci” argëton të burgosurit

Një grup të burgosurisht të burgut të Drenovës dhe katër gra të burgut të Tiranës u mbyllën për disa momente në muret e Teatrit të Korçës, por jo për të vuajtur një tjetër dënim, por për të shijuar “Kopracin”.

“Kopraci” ngjiti edhe njëherë tjejtër në skenë përballë publikut special aktorin 93-vjeçar Koço Qendro.

Të shoqëruar nga familjarë të tyre, të burgosurit shijuan shfaqjen e përgatitur posaçërisht për ta nga drejtuesit dhe aktorët e Teatrit të Korçës.

Protagonistët e shfaqjes thanë se synimi ishte ofrimi i një copëze argëtimi për këtë shtresë të shoqërisë, por jo vetëm kaq.

“Edhe një lloj edukimi për ta. Shfaqja kaloi me shumë duartrokitje, emocion e të qeshura. Të burgosurit u ndjenë të lirë dhe të kënaqur’, deklaroi Zamira Kita.

Pjesë e misionit të aktorëve dhe organizatorëve ishte edhe sheshimi i paragjykimeve për këtë shtresë të shoqërisë. Shfaqja në vetvete rrodhi lirshëm dhe pa asnjë incident, ndërkohë që Zamira Kita kërkon që kjo përvojë të vihet më shpesh në skenë për këtë kategori publiku.

“Pse jo, numri i të burgosurve që vijnë në teatër të rritet”, shton ajo.

Genci Fejzollari, drejtor i burgut të Drenovës thotë se shfaqja ishte realizimi i një dëshire të vetë aktorëve dhe të stafit të burgut që drejton.

Drejtori i burgut te Drenoves e ka vlerësuar këtë aktivitet i cili në të vërtetë gjallëron jetën e personave në mungesë lirie

"Të dënuarit kanë shumë nevojë për aktivitete, shfaqje e veprimtari të tilla”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë