Shendet

Kontrolli gjinekologjik, mjekët: Gratë në zonat rurale më të ndërgjegjësuara, ato në qytet preferojnë më shumë ndërhyrjet estetike

Nga Gazeta Si- “Në vizitat e këtij muaji, kam të shënuara vetëm prenotime nga gratë në zonat rurale pranë kryeqytetit, më bën përshtypje që vitet e fundit ka rënë interesi tek zonjat në qytet”, kështu thotë për Gazetasi.al, mjekja gjinekologe Eda Bylykbashi.

Sipas saj, shkak i neglizhencës për shëndetin riprodhues është me shumë gjasë interesi për estetikën që vitet e fundit po shënon një rritje.

“Më shumë preferojnë të bëjnë buzët sesa pap-testin. Nëse dikur kisha vizita të planifikuara për shëndetin riprodhues nga zonjat në qytet, vihet re rënie drastike e vizitave nga gratë në qytet. Mesa duket, trendi sot janë vizitat tek kirurgu estetist sesa gjinekologu”, vijon Bylykbashi.

Mjekja Bylykbashi thotë se çdo grua me një jetë aktive seksuale duhet të kontrollohet të paktën një here në vit tek gjinekologu edhe nëse nuk ka ndonjë ankesë apo shqetësim.

“Madje dhe vajzat e reja e kanë të domosdoshëm një kontroll tek gjinekologu sidomos gjatë periudhës së zhvillimit të organeve gjenitale dhe fillimit të ciklit menstrual”, thotë Bylykbashi.

Kur duhet të nisin kontrollet gjinekologjike

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, kontrolli gjinekologjik është i domosdoshëm. Mjekja gjinekologe Kozeta Mustafaraj, në një prononcim për Gazetasi.al thotë se në vendin tonë vajzat fillojnë kontrollet për kancerin e qafës së mitrës në moshën 22-23-vjeçe.

Sipas saj, ka shumë raste që vajzat shkojnë për kontrolle pasi kanë bërë katër vite marrëdhënie seksuale.

“Vajzat në Shqipëri fillojnë të bëjnë ekzaminimet në moshën 22, 23-vjeç ku ka dhe vajza që vijnë në moshën 27-vjeçe. Vizita duhet të paktën të bëhet një vit pasi ke kryer marrëdhënie seksuale”, thotë mjekja gjinekologe.

Kontrollet gjinekologjike dhe rreziku nga SST

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë infeksione që përftohen përmes marrëdhënieve seksuale. Por ajo çka vihet re, janë rastet që paraqiten tek mjeku, vetëm kur konstatohen shqetësime serioze.

Mjekët ekspertë thonë se kontrollet rutinë periodike shpëtojnë deri dhe jetën e pacientit, duke evidentuar tumoret në fazën e hershme si dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si candida, gonorrea apo dhe sifilizi, të rikthyera tashmë në qarkullim, pas një zhdukje dhjetëra vjeçare.

Mjekët ekspertë thonë se shumë prej këtyre infeksioneve nuk japin simptoma dhe mbarten nga njerëz plotësisht “të shëndetshëm“ në dukje.

“Ndaj rekomandohet një ndërgjegjësim për të mos shkëputur kontaktet nga mjeku pasi edhe pse në dukje mund të jenë të shëndetshme, gratë mund të preken nga SST çka bën që infeksioni të përcillet nga partnerët duke rrezikuar dhe shëndetin riprodhues”, thonë mjekët.

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme shkaktohen nga:

-Bakterie (gonorrhea, syphilis, chlamydia)

-Parazitë  (trichomoniasis)

-Viruse (human papillomavirus, genital herpes, HIV)

Aktiviteti seksual luan një rol të rëndësishëm në përhapjen e tyre, por ekziston mundësia që disa sëmundje të përhapen dhe me rrugë joseksuale si: hepatiti A, B and C, shigella, cryptosporidium dhe Giardia lamblia.

Në përgjithësi, sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë më të shpeshta në disa grupe të caktuara popullate: të rinj, burrat homoseksualë dhe komunitetet e vogla të pazhvilluara.

Transmetimi nga nëna tek fëmija

Disa sëmundje si gonorea, klamidia, HIv dhe sifilizi mund të kalojnë nga nëna tek fëmija gjatë procesit të lindjes duke dhënë komplikacione të shumta. Ndaj, theksojnë mjekët gjinekologë, është e nevojshme që të gjitha gratë shtatzëna të depistohen për sëmundje seksualisht të transmetueshme.

Kush duhet të depistohet:

-Të gjithë personat nga 13 deri 64 vjeç duhet të testohen për HIV, në gjak apo në pështymë.

-Gratë shtatëzana: U bëhet depistimi për HIV, hepatiti B, chlamydia dhe syphilis, që në vizitën e parë prenatale. Ndërsa testimi për Gonorea dhe hepatiti C bëhet në gratë me risk të lartë.

-Vajzat mbi 21 vjeç: Kryerja e Pap test për anomali të qafës së mitres, ndryshimet inflamatore, prekanceroze të shkaktuara nga HPVs. Duhet të vizitohen çdo vit.

-Vajzat nën 25 vjeç të cilat janë seksualisht aktive: Çdo vajzë seksualisht aktive nën moshën 25 vjeç duhet të testohet për klamidia nëpërmjet testit të urinës apo nëpërmjet sekrecioneve vaginale.

“Pas mjekimit të këtij infeksioni duhet përsëritur ekzaminimi 3 muaj më vonë, për të shmangur një rinfektim apo një trajtim jo të rregullt. Gjatë jetës së saj, një grua mund të riinfektohet prej klamidias, në çdo kohë, pavarësisht kalimit njëherë të infeksionit apo trajtimit të tij të mëparshëm. Gjithashtu, për të gjitha vajzat e kësaj moshe duhet bërë depistimi për gonorean”, thonë ekspertët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë