Lajme

Kontroll në makinë dhe banesa, 2 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka goditur një grup të trafikut të lëndëve narkotike, duke arrestuar 2 shtetas dhe proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër.
Si rezultat i operacionit policor “Shkëmbimi”, i cili është realizuar në bashkëpunim me Policinë Kufitare Qafë-Thanë janë arrestuar shtetasit:
A. L., 54 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”. Arrestimi u bë për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
E. K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Në gjendje të lirë është proceduar shtetasi D. K., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
54-vjeçari nga Gjirokastra, por që banonte në Tiranë, ishte nisur drejt pikës kufitare të Qafë-Thanës me një mjet tip Mercedes Benz, në të cilin kishte fshehur drogën, por që i është zbuluar gjatë kontrollit.
Siç njofton policia, në pjesën e dyshemesë poshtë sediljes së shoferit është konstatuar një hapje e strukturës metalike, në brendësi të së cilës janë gjetur 19 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me peshë 13 kg, të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin dhe dy celularë.
Ndërkohë në rrugën “Shefqet Kuka”, Tiranë, është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve E. K. dhe D. K. Gjatë kontrollit në ambientet pranë banesës së shtetasit E. K. është gjetur një armë zjarri kallashnikov. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. K. në ambientet e banesës së këtij shtetasi u gjetën dy armë gjahu, për të cilat nuk dispononte leje.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në ngarkim të shtetasit A. L., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në ngarkim të shtetasit E. K. dhe për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasit D. K.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë