Lajme

Kontributi i drejtpëdrejtë i turizmit në 4 vite, 10 % e PBB-së

Industria e turizmit po zë një peshë të pazëvendësueshme në zhvillimin e ekonomisë botërore. Referuar të dhënave të statista.com kjo industri ka kontribuuar në ekonominë globale në 2017-ën me 8,27 trilionë dollarë amerikan.

Pavarësisht se problematikat që shoqërojnë çdo degë të ekonomisë sonë përfshirë turizmin, e bëjnë këtë fushë jo shumë konkuruese në rajon dhe Europë, turizmi shqiptar po njeh hapa zhvillimi dhe Shqipëria është një atraksion turistik i dëshiruar për udhëtarët e botës.
Sipas Raportit të Impaktit Ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit 2018, të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit1 (WTTC), përgjatë vitit 2017, sektori i turizmit regjistroi një kontribut direkt prej 1.12 mld dollarësh duke përbërë rreth 8.5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërkohë duke përfshirë edhe efektet indirekte multiplikative, kontributi total është thuajse trefish më i lartë prej 3.47 mld dollarësh, duke përbërë rreth 26.2% të PBB-së, duke e pozicionuar këtë sektor si një ndër kontribuesit kryesorë të zhvillimit të ekonomisë kombëtare.

Turizmi rezulton po ashtu edhe sektori që ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017-ës.

Qeveria parashikon që ky sektor do t'i japë ekonomisë një hov të konsiderueshëm në afatmesëm, po ashtu edhe në afatgjatë.

Sipas Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit 2019-2023 sektori i turizmit pritet të zërë 8,8% të PBB, ndërsa deri në 2028, sektori mund të zërë deri në 9.3 % të PBB. Gjithashtu parashikohet që deri në 2028 efekti direkt dhe indirekt i sektorit të turizmit t`i afrohet rreth 1/3 të të gjithë Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
Referuar punësimit, aktualisht në sektorin e turizmit janë punësuar rreth 7.7% e të gjithë forcës së punës në Shqipëri, ndërsa deri në 2028 parashikohet që ky numër të rritet në nivelin 8.8 %, sipas raportit të Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC). Po ashtu, investimet në këtë sektor përbënin rreth 7.5 % të të gjithë investimeve në vend, kurse deri në 2028 parashkohet që kjo shifër të rritet në nivelin 8,2%.

Sipërmarrjet e akomodimit dhe të shërbimeve në funksion të turizmit janë rritur në trende konstante pozitive përgjatë gjithë viteve të fundit, ku nga 18,061 sipërmarrje që numëroheshin në 2014, numri shkoi rreth 22,785 në 2017. Sektori i shërbimeve të akomodimit dhe ushqimit përfshin restorantet, struktura të tjera ushqimi si dhe struktura akomoduese të tipit hotel, bujtinë, hostel etj. Ky sektor përbën rreth 15% të gjithë sektorit të shërbimeve si dhe 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri.

Europa është burimi kryesor i turistëve që vizitojnë Shqipërinë duke zënë një volum prej rreth 92.4% të të gjithë turistëve, çka reflekton se aksesi >3 orë nga një destinacion në tjetrin është ende faktor i rëndësishëm për fluksin e udhëtarëve për qëllime turizmi. Megjithatë së fundmi turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo Azia dhe veçanërisht Kina, kanë shënuar një interes domethënës rritës, duke inkurajuar indirekt zhvillimin e nënsektorëve të tjerë të turizmit, sidomos turizmin historik dhe atë kulturor.

Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të pellgut mesdhetar, zhvillimi i turizmit në Shqipëri është ende larg potencialit që përfaqësojnë pasuritë natyrore, historike e kulturore të vendit.

Sipas asaj që evidenton Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, Infrastruktura, kapacitetet akomoduese, cilësia e shërbimeve, oferta dhe produkti turistik janë që të gjithë faktorë që kanë frenuar disi zhvillimin e qëndrueshëm e konsistent të turizmit në Shqipëri, duke i lënë vend një zhvillimi të pakontrolluar e kaotik që faktikisht e ka mbajtur në këmbë këtë industri, por duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tij në terma afat-gjatë.

Por, vëren Ministri Klosi në strategjinë e turizmit për 4 vitet e ardhshme, në kushtet e një turizmi të ndërtuar për një kohë të gjatë në mënyrë individuale dhe pa vizion, ka akoma shumë potenciale ende të pashfrytëzuara, të cilat nëse programohen siç duhet, mund sektori mund të kthehet në një ndër shtyllat më të forta konkuruese të vendit, në rajon e më gjerë.

Strategjia e turizmit 2019-2023 parashikon të ndërtojë instrumenta për rritjen e vlerës së shtuar sidomos për ekonomitë familjare, do të zhvillojë produkte të reja turistike, si dhe përmirësojë ndjeshëm shërbimin, në mënyrë që të promovohet Shqipëria.

Drejtimet kryesore të zhvillimit të strategjisë

Qeveria ka përcaktuar që të zhvillojë strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në këto katër vite në pesë drejtime kryesore;
Të nxisë Investimet Publike dhe Private;
Të konsolidojë dhe Zhvillojë Produktet Turistike;
Të përmirësojë Shërbimet Turistike;
Të ri-orientojë Promovimet drejt Potencialeve;
Të mbështesë për Menaxhimin e Destinacioneve.

Outputet Ekonomike

Rritja e kontributit të drejtpërdrejtë e turizmit në PBB nga zhvillimi i strategjisë nga 8.4% në 2016 pritet të jetë në 10% e PBB-së në 2023 dhe e kontributit total nga 26% në 2016 në 29% në 2023.

Rritja e të ardhurave nga turizmi hyrës (incoming) nga 1,7 miliard Euro në 2017, pritet të shkojë në 2 miliard Euro në 2023 . Gjithashtu investimet e huaja direkte në turizëm pritet të jenë 2,552 milion Euro deri në vitin 2023 .

Rritja e numrit të të punësuarve drejtpërdrejt në sektorin e turizmit nga 85,000 në vitin 2016 në 100,000 në vitin 2023 dhe rritja e numrit të të punësuarve në total në këtë sektor nga 267,000 në 2016 në 300,000 në 2023.

Nxitja dhe mbështetja për krijimin e 6,000 biznesve të reja në fushën e turizmit deri në 2023 synohet përmes strategjisë.

Rritja e vazhdueshme e investimeve publike në turizëm duke arritur në 6,3% të investimeve publike në 2023. Po ashtu përmes strategjsië synohet rritja e të ardhurave direkte nga taksat nga sektori i turizmit me 9 miliard lekë deri në vitin 2023 dhe rritja e të ardhurave totale nga taksat nga sektori i turizmit me 31 miliard lekë deri në vitin 2023.

Financimi

Qeveria do të financojë zhvillimin e strategjisë përmes buxhetit të parashikuar për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (pjesa për turizmin), Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit (pjesa e turizmit).

Në përllogaritjen e kostos së Strategjisë janë parashikuar, përveç Buxhetit të Shtetit, edhe financime nga Bashkimi Evropian dhe donatorët e ndryshëm.

Turizmi në botë

Udhëtimi dhe indisutria e turizmit është një nga industritë me kontributin më të madh në ekonominë botërore (direkte, indirekte dhe të detyruar).

Në vitin 2015, të ardhurat globale të turizmit ndërkombëtar arritën në rreth 1.26 trilionë dollarë amerikanë, pothuajse dyfishuar që nga viti 2005. Në këtë vit, Kina kishte shpenzimet më të mëdha ndërkombëtare të turizmit, të ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Qyteti kryesor me shpenzimet e vizitorëve ndërkombëtar ishte Dubai, ku turistët shpenzuan më shumë se 31.3 miliardë dollarë amerikanë në 2016.

Ndikimi i drejtpërdrejtë ekonomik i industries së truizmit, duke përfshirë akomodimin, transportin, argëtimin dhe atraksionet, ishte rreth 2.3 trilionë dollarë amerikanë në 2016. Franca dhe Shtetet e Bashkuara, janë vazhdimisht destinacione turistike më të njohura, por vende të tjera më pak të njohura po përparojnë shpejt, në mënyrë që të përfitojnë ekonomikisht nga industria.

Në mbarë botën, industria e turizmit ka përjetuar rritje të qëndrueshme pothuajse çdo vit. Të ardhurat turistike ndërkombëtare u rritën nga 528 milionë në vitin 2005 në 1.19 miliardë në vitin 2016. Shifrat parashikohet të kalojnë 1.8 miliardë deri në vitin 2030. Çdo vit, Europa prodhon çdo vit shumicën e udhëtarëve: me rreth 607 milionë turistë nga jashtë në vitin 2015, rajoni kishte më shumë se dyfishin e asaj të origjinës së dytë turistike më të madhe, rajonin e Azisë dhe Paqësorit.

Në 2017-ën industria rezultoi me mbi 8.27 trilion dollar amerikanë.
Turistët në botë kanë rezultuar për këtë vit 1 mln e 323 mijë.
Shitja e hotelerisë ka shënuar 570,18 miliardë dollarë amerikanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë