Edhe pse me vonesë, Shqipëria ka marrë sot ngarkesën e parë të vaksinave direkt nga kompania farmaceutike Pfizer.
Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrat Manastirliu dhe Ahmetaj kanë shkuar në Rinas për të pritur dozat e para nga kontrata me ”Pfizer”, duke premtuar edhe mbërritjen e dozave të tjera.
"Pfizer lëvron dozat e para që janë 1170 doza", tha zoti Rama.
Kryeministri bëri me dije se kompania farmaceutike është zotuar se do të sjellë pjesën tjetër të vaskinave brenda muajit shkurt. "Në javët në vijim nuk po jap data se këtu u bë histori ndryshimesh të vazhdueshme, brenda shkurtit vijnë dhe dozat e angazhuara qoftë 10 mijë e 750, qoftë 31 mijëshi. 41 mijë dozat që ishin të parashikuara në fund janar-shkurt janë të angazhuara, nga Pfizer siç po ju them. Nëse do ketë ndryshime ju informoj. E rëndësishme ësthë që vaksinim vijon em të tjerët, sipas listët. Radhën e ardhshme kemi për të marrë dozat e tjera, do të priten në mënyrë transparente. Nuk do jetë i njëjti kuriozitet, ne do të hyjmë në proces edhe për moshat më të thyera, sipas planit nga MSH", u shpreh kreu i qeverisë.
Rama theksoi se këtë marrëveshje e ka arritur vetëm Shqipëria dhe Serbia, dhe njoftoi nga ana tjetër se nga marrëveshja me COVAX nuk ka “asgjë në horizont”.
“Ne kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t’ua komunikojë, ndërkohë që kemi kontratën e drejtpërdrejtë me Pfixer, ne Shqipëria dhe përveç nesh dhe Serbia, vendet e tjera sic po e ndiqni janë ende në një situatë pritshmërie në kushtet kur vaksina po komplikohet gjithnjë e më shumë", tha kryeministri. Ai njoftoi po ashtu se Shqipëria do të vaksinojë edhe 50 mjekë nga Kosova.
Rama nuk i kurseu kritikat për BE-në, duke theksuar se Europa ka hyrë në një kaos, me jo vetëm Astrazenerca, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë ligjore. "I them për të mos harruar që sidoqoftë ne jemi në kushtet kur procesi i vaksinimit e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve, nuk pritëm COVAX, është ende në një proces që nuk duket se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt, të vazhdueshëm, por edhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin një sinjal qartësi”, deklaroi kryeministri.
Ai njoftoi po ashtu se qeveria është shumë afër finalizimit të kontratës me kompaninë AstraZeneca, e cila pritet të marrë miratimin e BE-së.
" Jemi optimistë, jemi shumë optimistë dhe të ecim për skenarin e parë. Vaksinimi i gjithë atyre që duhet vaksinuar, apo kanë dëshirë, në 14 muaj. Akoma qëndron. Me Pfizer kemi diskutuar përsëri muajt mars, prill, qershor, sepse scheduli kontraktual ësthë fleksibël. Nuk kemi varur veten vetëm tek Pfizer, as tek COVAX, as BE, as një palë, as palës tjetër. Kemi ndërkohë ndërveprim intensiv siç ju kam thënë me 3, tani janë 4 shtete brenda dhe jashtë BE, gjithmonë me synimin të garantojmë vaksinat perëndimore", u shpreh ai.
"Me vaksinën jashtë kamerave e jashtë syve të publikut, jashtë pasqyrave të komunikimeve të qeverive, është sagë më vete. Është një luftë tregtare politike e jashtëzakonshme. Mua më vjen shumë mirë që ne ja kemi dalë të mos mbetemi në rrethin vicioz ku janë shumë të tjerë/. Nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet e forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç ka bërë që ne të mbetemi strikt për mbajtjen e origjinës nga erdhën, e bën të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash. Nuk e bëjnë të pamundur që ne të bëjmë vaksinimin e mjekëve të spitaleve COVID të Prishtinës. I kam kërkuar ministres së shëndetësisë për të komunikuar me homologun. Ne jemi të gatshëm të presim 50 bluza të bardha nga Prishtina për të dyja dozat", tha Rama.
Kryeministri e ka përjashtuar si mundësi marrjen e vaksinave nga Rusia dhe Kina, duke thënë se Shqipëria do të shohë nga perëndimi.
“Sa i përket vaksinës ruse dhe kineze asnjë paragjykim të natyrës shkencore, respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë këtyre 2 vaksina, por zgjidhja jonë është që do të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor dhe jo lindor. Është një zgjedhje e bërë prej nesh sepse e përsëris se këtu janë shumë komponent bashkë, nëse BE do të hapet ndaj këtyre vaksinave ne do të shikojmë këtë qasje, për sa kohë është i mbyllur përballë këtyre vaksinave”, tha Rama.
Shqipëria e ka nisur vaksinimin ndaj Covid-19 javë më parë dhe pse me ritme më të ulëta, pasi një shtet i BE i dhuroi 975 doza të vaksinës.
Me Pfizer Shqipëria ka lidhur një kontratë, në bazë të së cilës ngarkesa e parë do ishte 10 mijë e 530 doza me vlerë 12 dollarë/ doza, kurse në total 499 mijë e 590 doza.
Pas mbërritjes në Rinas, ngarkesa me vaksinat e Pfizer do të dërgohet për tek Instituti i Shëndtetit Publik.
Kujtojmë se deri më tani me dozat që Shqipëria kishte siguruar janë vaksinuar vetëm bluzat e bardha, edhe më tej do të vijojë vaksinimi i tyre, e më pas radhën e kanë grupet e tjera të rrezikuara.
Rritja e numrave të infektimeve dhe fataliteteve nga koronavirusi ka rritur alarmit nga institucionet, por a rrezikojmë që të kemi një karantinë të dytë? Rama tha se nuk ka një sugjerim nga Komiteti i Ekspertëve, por ajo që do të bëjnë është që të shtrëngojë zbatimin e masave që janë në fuqi.
“Nuk janë numra që nuk i prisnim për hir të së vërtetës, sepse kjo është një fizarmonikë, hapesh dhe sigurisht ekspozohesh më shumë, mbyllesh ekspozohesh më pak por përkohësisht. Duke u mbyllur virusi nuk ikën, por ekspozimi është më i vogël, por nuk mund të rrimë mbyllur deri kur të ikë virusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.