Politike

Kontrata e Lobimit të PD, Arben Ristani në Prokurori: S’kanë asnjë provë

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani është paraqitur vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u njohur me akuzat në lidhje me kontratën e lobimit në SHBA.
Ristani ka qenë i thirrur si pandehur në lidhje me hetimin e nisur nga organi i Akuzës mbi kontratën e nënshkruar në SHBA.

Pas paraqitjes në Prokurori, Ristani deklaroi se organi i Akuzës nuk ka asnjë provë ë të implikojë atë në çështjen, duke theksuar se ky proces është iniciuar politikisht. Ish-funksionari i selisë blu tha se organi i akuzës nuk i ka paraqitur atij asnjë provë që ta implikojnë në transaksionet financiare në lidhje me lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Qeverisë kriminale po i vjen fundi. Dhashë deklaratën time, unë si Arben Ristani nuk kam asnjë lidhje me këtë histori. Akuza është e iniciuar nga ana politike. Nuk ka prova. S’ka asnjë dokument. Tani kjo nuk ka rendësi, pasi ju jeni për thelbin e çështjes. U paraqita mbi bazën e ftesës së prokurorisë. U kërkova prova, por ju siguroj se nuk ka asnjë provë që sekretari ka nxjerrë vendime me firmë. Nuk kam asnjë bisedë telefonike që ka të bëjë me dhënie apo bërje pagesash. Nuk kam asnjë dijeni për marrje apo bërje pagese”, tha Ristani.
Ai edhe njëherë shtoi faktin se akuzat dhe ftesat e zyrtarëve të PD-së në Prokurori janë thjesht sulme politike.
“Çështja është e nxitur politikisht, për të bërë pis edhe PD-në. Në këtë godinë të drejtësisë ka akoma njerëz të ndërgjegjshëm, të aftë që mund të vendoset drejtësi në këtë vend. Nuk kam asnjë dokumentacion, asnjë bisedë, brenda dhe jashtë vendit. E gjithë çështja ka qëllim tjetër, e nxitur politikisht. Jam njohur me akuzën. Nuk më njohën me asnjë dokumentacioni. Po fluturojnë në ajër dhe janë të motivuar politikisht”-theksoi Ristani.


Katër ditë më parë Prokurorët e çështjes, Ervin Karanxha, Gjergji Tafa dhe Kolë Hysenaj firmosën flet-thirrjen për kryedemokratin Lulzim Basha, ish-sekretarin e PD, Arben Ristani, si dhe për Ilir Dervishin, ekonomist i PD.
Prokurorët thanë se pas përfundimit të fazës paraprake të hetimeve që kanë nisur në 2018 gjetën elementë të veprave penale të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Sipas prokurorëve mbështetur në hetimet paraprake, Basha, Ristani dhe Dervishi janë tashmë nën hetim.
Sipas hetimit, mësohet se ka rezultuar se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke ju shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.
Një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha refuzoi të paraqitjen në Prokurori, duke i dërguar një letër ku argumentohej se me këtë fletë-thirrje, prokurorët e çështjes nuk kishin zbatuar ligjin.
“Në lidhje me “Ftesën për Paraqitje” të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast”. Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore”, shkruan Basha. Ai më tej shtonr se “për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja c, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme”. Pavarësisht këtij qëndrimi, kryedemokrati shprehej i gatshëm për t’u paraqitur në Prokurori, menjëherë pasi të ishin plotësuar kriteret ligjore.

Letra e kreut të PD-së drejtuar Prokurorisë


Pas këtij refuzimi, Prokuroria nxori një urdhër të dytë ku për shoqërimin e me forcë të Bashës në datë 20 Qershor, pikërisht një ditë përpara protestës së opozitës.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, të jetë paguar nga Partia e tij.
Lidhur me pagesën prej 500 mijë dollarësh që Muzin ka deklaruar se janë bërë nga PD, zoti Basha ka dhënë shpjegime kontradiktore. Në mars të vitit të shkuar ai ishte shprehur se “nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”. Ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë