Financa Personale

Konsumatorët shqiptarë janë gati për blerje në shuma të mëdha

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike shënoi rënie tjetër në muajin prill, me 1%, ndikuar nga rënia e besimit në sektorin e industrisë, tregtisë dhe  shërbimeve. Besimi i konsumatorëve dhe sektorit të ndërtimit, u përmirësua.

Treguesi i besimit të konsumatorëve u rrit me 1.7 pikë në muajin prill. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për situatën e tyre  financiare  dhe  gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen. Pritjet e konsumatorëve për çmimet në të ardhmen pësuan rënie në muajin prill.

Treguesi besimit në ndërtim vazhdoi ritmin rritës edhe për muajin prill, me 1.8 pikë. Kjo ndodhi nga aktiviteti pozitiv ndërtues dhe kërkesa në rritje. Rënie pritet për nivelin e punësimit dhe çmimeve në këtë sektor.

Treguesi i besimit të industrisë ra me 1.4 pikë nga muaji mars, lidhur me rënien e kërkesës në këtë sektor. Bizneset presin rritje të prodhimit dhe punësimit në të ardhmen, dhe rënie të çmimeve.

Besimi në tregti, pësoi rënien më të madhe, me 2.9 pikë , ku sipas bizneseve kërkesa është e ulët dhe pritet tjetër rënie, në kërkesë dhe punësim.

Besimi në shërbime ra po me 2.9 pikë nga muaji mars, ndikuar nga performanca më e dobët e elementëve të lidhur me bizneset dhe kërkesën e ulët. Megjithatë, bizneset vlerësojnë  në rritje  situatën  aktuale  të  punësimit. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve dhe të punësimit në të ardhmen u paraqitën me rënie edhe pse në pritje të sezonit veror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë