Treg

Konsumatorët e Eurozonës janë pesimistë për inflacionin. BQE mund të rrisë sërish normat

Pritshmëritë e konsumatorëve për inflacionin janë rritur në Eurozonë, pavarësisht nga ngadalësimi i rritjes së çmimeve për pjesën më të madhe të gjashtë muajve të fundit.

Ky është një ndryshim shqetësues për Bankën Qendrore Europiane, duke shtuar mundësinë e rritjes së mëtejshme të normave të interesit.

Sondazhi i fundit i BQE-së për konsumatorët, tregoi se ata tani presin që inflacioni vjetor të jetë 5%, nga 4.6% në të njëjtin anketim të një muaji më parë.

BQE vendosi të ngadalësojë ritmin e rritjes së normave të interesit javën e kaluar, por sinjalizoi një shtrëngim më të madh, në atë që tregjet presin të jetë faza e fundit e luftës së saj kundër inflacionit.

Inflacioni në 20 vendet e Eurozonës u rrit me një normë vjetore 7 për qind në muajin prill, nga 6.9 për qind në mars.

Sondazhi tregoi se konsumatorët prisnin, që të ardhurat e tyre të mos kishin rritje gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa shpenzimet shiheshin në rritje me 3.0%, duke nënkuptuar një ulje të kursimeve.

CES është një anketë mujore në internet, me rreth 14.000 individë të anketuar nga Belgjika, Gjermania, Spanja, Franca, Italia dhe Holanda. Është një nga inputet e përdorur nga politikëbërësit e BQE-së në diskutimet e tyre.

Nëse njerëzit presin, që trysnitë e çmimeve të mbeten të larta për më gjatë, kjo i bën ata më të prirur të kërkojnë rritje pagash dhe të pranojnë çmime më të larta, duke nxitur më shumë inflacion.

Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë