Taksa

Konsultohet taksimi i të vetëpunësuarëve dhe profesioneve të lira. Dy mënyra që mund të zgjedhin

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat foli mbi ndryshimet që pritet të bëhen për profesionet e lira, të vetëpunësuarit, apo ato që japin një shërbim, quajtuar “Të ardhurat e realizuara nga profesionet e lira dhe të pavarura konsiderohen të ardhura nga punësimi”.

Pra, kategoria e të vetëpunësuarëve dhe profesioneve të lira, do të jenë njësoj si të punësuarit përballë sistemit tatimor.

Ministrja Ibrahimaj tha se drafti është ende në konsultim dhe detajet do të jepen më vonë, por shtoi se ata që janë parashikuar të futen në këtë kategori, do të kenë mundësi të zgjedhin midis dy forma taksimi.

“Njëra formë është progresiviteti dhe njëra formë është një mënyrë e re e taksimit të llojit ‘lump-sum’, një risi që do të filojë nëse miratohet ligji”, -tha Ibrahimaj.

Lump-sum është një pagesë totale që paguhet në raport vjetor dhe jo me perioda më të shkurtra, pra një taksë fikse, pavarësisht qarkullimit.

Kjo lloj takse mund të jetë eficente për një biznes apo individ që ka siguri financiare, sepse ajo mund të rezultojë shumë e lartë, sipas të ardhurave.

Më tej ministrja tha se 100% e bizneseve të mëdha në vend dhe 80% e atyre të vogla janë fiskalizuar.

Pak më herët gjatë vitit, Këshilli i Ministrave rifuti profesionet e noterëve dhe përmbaruesëve gjyqësore privatë e shtetërorë në TVSH, pavarësisht qarkullimit vjetor të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë