Treg

Përmbaruesit: Përfshirja në TVSH nuk do të rrisë çmimet e shërbimeve tona. Qeveria ‘korrigjoi’ gabimin

Në një vendim të 3 marsit 2022, Këshilli i Ministrave vendosi të rikthejë përsëri aplikimin e TVSH-së për profesionet e noterëve dhe përmbaruesëve gjyqësore privatë e shtetërorë, pavarësisht qarkullimit vjetor të tyre.

Rifutja e këtyre profesioneve në TVSH, u vendos pothuajse 2 vite pasi Këshilli e kishte shfuqizuar në korrik të 2020-s duke i përjashtuar ato nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

Dhoma e Kombëtare e Përmbarimit në Shqipëri në një reagim për Gazetasi.al, siguron se ky vendim nuk do të sjellë rritje të çmimeve finale të shërbimeve për klientët.

Në fakt, përmbaruesit thonë se kjo do të rrisë barazinë dhe konkurrencën e këtij sektorit dhe se përveç tagrit që përmbaruesit e noterët kanë, duhet të plotësojnë edhe detyrimet.

Heqja e këtyre profesioneve nga TVSH-ja, sipas Dhomës së Përmbarimit, ishte akt i nxituar, i pamenduar dhe i pakonsultuar me profesionistë.

Ky vendim krijoi problematika brenda ofruesve të shërbimit notarial dhe përmbarimor. U krijuan rrethana dhe rregulla të pabarabarta për procedurat financiare të këtyre profesioneve.

Vendimi i 2020-s u shoqërua me debate, ku Dhoma e Avokatëve çoi në Gjykatë Këshillin e Ministrave, për ta shfuqizuar këtë vendim dhe që atëherë, Avokatët u liruan nga ky vendim. Sipas profesionistëve, Këshilli i Ministrave nuk kishte kompetencën për të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.

“Për sa kohë VKM-ja e vjetër ishte në fuqi, krijoi një standard të dyfishtë të ofrimit të shërbimeve të lira ligjore, si përmbarim ashtu dhe noteri, pavarësisht se tarifat për ofrimin e këtyre shërbimeve janë fikse dhe të përcaktuara nga shteti, për të dyja profesionet. Veprimet ligjore që shoqërojnë këto tarifa janë të përcaktuara, gjithashtu”,-thonë përfaqësues të Dhomës për Gazetasi.al.

“Në çdo rast, shërbimi do duhet të ofrohet për të gjitha subjektet përmbarimore dhe noteriale me të njëjtin standard financiar, me apo pa TVSH. Shteti shqiptar zgjodhi të përfshijë ofrimin e tij me TVSH. “


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë