Futboll

Konkurrencë e fortë për Brojën, Çelsi kërkon Benzema ose Firmino për sulmin

Gazeta Si – Çelsi ka probleme me sulmin dhe kërkon që të afrojë një lojtar ekspert për këtë repart. Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares që ka luajtur disa ndeshjes pas kthimit nga dëmtimi, titullar dhe si zëvendësues, do të ketë konkurrencë të fortë në gjysmën e dytë të sezonit. Gjithmonë, nëse nuk shitet nga klubi londinez.

Roberto Firmino pritet të lërë Arabinë Saudite, ku luan me Al-Ahli. Sipas ‘Daily Telegraph’, ish-sulmuesi i Liverpulit ka gjasa që të transferohet te Çelsi. Orët e fundit ka pasur zëra edhe për një interesim për Karim Benzema nga ana e klubit londinez, ndërkohë që sulmuesi francez synohet edhe nga Mançester Junajtid.

Më shumë mundësi ka Firmino për të veshur fanellën blu të Çelsit, çka do të thotë se Brojës mund t’i ngushtohet hapësira. Sulmuesi kuqezi ka marrë shpesh besimin e trajnerit Poçetino, por nuk ka mundur të shpërthejë, siç bënte me Southemptonin pak vite më parë.

Broja ka nevojë të luajë sa më shumë që të rigjejë formën optimale dhe të jetë në nivelin më të mirë për Europianin e Gjermanisë. Nëse qëndron te Çelsi, do ta ketë mjaft të vështirë, duke parë lëvizjet e klubit anglez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë