Para

Konkurrenca hetim të thelluar për katër banka të mëdha në vend

Pas hetimit parapraprak Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të çelë hetim të thelluar në sektorin bankar me fokus në katër bankat më të mëdha; Bankën Raiffeisen, atë Kombëtare Tregtare, Bankën Credins dhe Bankën Intesa SanPaolo për periudhën 1 janar 2016 deri në 31 dhjetor 2018.

Në një vendim të publikuar të enjten Autoriteti thekson se për të vlerësuar tregun përkatës të produktit është analizuar zëvendësueshmëria nga ana e ofertës, zëvendësueshmëria nga ana e kërkesës, barrierat në hyrje/zgjerimit, konkurrenca potenciale. Autoriteti bën me dije se hetimi i thelluar do të përfshijë tregjet e: depozitave, kredive dhe transfertave bankare të këtyre bankave. Raporti i hetimit të thelluar do të jetë gati 6 muaj nga hapja e hetimit të thelluar.

Mënyra se si është ndarë tregu mes bankave të sipërpërmendura që sëbashku kanë kanë 68 për qind të tregut; BKT 28.4%, Raiffeisen 15.1%, Credins 12.9% dhe Intesa 11.4% të tregut.
Në vendim thuhet se “Sipas strukturës së tregut, vihet re se bankat objekt hetimi janë bankat me vlerën më të lartë të portofolit të depozitave. Treguesi i Hershman Herfindalit tregon për një treg mesatarisht të përqendruar ku vlera e pjesës së tregut për tre dhe katër bankat më të mëdha (CR3 dhe CR4) janë të pandryshueshme pas vitit 2016. Katër bankat më të mëdha, BKT, Raiffeisen Bank, Banka Credins dhe Banka Intesa SanPaolo kanë ndryshime të pjesëve të tregut në vlera relativisht të vogla duke ruajtur renditjen në treg dhe qëndrueshmërinë e pjesëve të tregut”.

Përsa i përket hetimit paraprak të të depozitave, ka rezultuar se ka ngurtësim të pjesës së tregut që zotëron secila bankë në këtë portofol, ngurtësim të pjesës së tregut që zotërojnë 4 bankat më të mëdha në vlerat e portofolit (CR4), ngurtësim të pjesës së portofolit që zotëron secili produkt në portofolin e depozitës gjatë periudhës hetimore. Në tërësi vlera dhe struktura e portofolit të depozitës është e ngurtë, gjë e cila në kuptim të nenit 4, pika 1 germa (c) të Ligjit Nr. 9121/2003 mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar.
Raporti citon se treguesit e përqendrimit për llogaritë rrjedhëse, i japin tregut karakteristikat e një tregu të përqendruar. Lidhur me depozitat Konkurrenca vëren aplikim të interesave shumë të ulta dhe pothuajse të njëjta mes bankave në zërin e interesave të depozitave.

Kurse Tregu i Kredisë Konsumatore vlerëson të jetë një treg me indekse të larta të përqendrimit. Komisioneve për kredinë konsumatore si në monedhën vendase, ashtu edhe në atë europiane nuk ka ndryshime ndër vite. Sipas vendimit të konkurrencës BR dhe BKT aplikojnë komisionet me të larta në lidhje me penalitetet për shlyerje të vonuar të këstit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë