Treg

Konkurrenca-AMF-së: Bankat e Nivelit të II s’ndërmjetësojnë për sigurimet

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mos pranojë një kërkesë drejtuar atij nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për të pezulluar hetimin në tregun e bankave të nivelit të dytë dhe ti lejojë ato të jenë brokera (ndërmjetësuese) në tregun e sigurimeve.

Sipas Autoriteti të Konkurrnecës licenca e marrë nga banka e nivelit të dytë për këtë veprimtari nuk është përkthyer në ushtrim aktiviteti sepse AMF nuk është bazuar tek aktet nënligjore të veta për të llogaritur primet e sigurimeve.

AMF, nëpërmjet një shkrese zyrtare më 22.02.2019 i kërkon Autoritetit të Konkurrencës rishikimin e Vendimit “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ndërmjetësimit në sigurime nga bankat e nivelit të dytë, vendosjen e disa detyrimeve dhe rekomandimeve”, lidhur me:

a) i rekomandohet Bankës Kombëtare Tregtare të aplikojë pranë AMF për licencimin si ndërmjetës në sigurimin e jo jetës, për produktin e sigurimit të pronës nga zjarri dhe dëmet e natyrës.

AMF në shkresën zyrtare është shprehur se me vendimin e Bordit të AMF-së më 27.12.2016 “Për miratimin e licencës për ushtrimin veprimtarie brokerimi në sigurime të shoqërisë “Banka Kombëtare Tregtare”, kjo e fundit është licencuar për ushtrim veprimtarie brokerimi në sigurime për klasat e Jetës dhe Jo-Jetës për një periudhë pa afat.

Nga verifikimet është konstatuar se BKT është e licencuar për të dy produktet (jetë dhe jo jetë), por nuk e ka ushtruar të drejtën e ndërmjetësimit në sigurimin e produkteve të Jo Jetës.

Gjithashtu Konkurrenca i ka rekomanduar AMF-së që të përcaktojë metodologjinë e sigurimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe të kërkojë nga shoqëritë e sigurimit orientimin e primeve për përllogaritjen e primit të sigurimit të pronës dhe jetës nga shoqëritë e të sigurimit drejt kostos.

AMF, citon Konkurrenca, i referohet parimeve ndërkombëtare për llogaritjen e primit të riskut, por nuk i referohet asnjë akti nënligjor të AMF-së për miratimin e metodologjisë së llogaritjes së primit të sigurimit.

Llogaritja e primit të sigurimit duhet të jenë pjesë e një metodologjie të miratuar nga AMF.

Ajo duhet të ketë gjithashtu informacion mbi mënyrën e llogaritjes së primit të sigurimit nga shoqëritë e sigurimit.

AMF ka detyrimin të orientojë të gjithë aktorët që operojnë në tregun e sigurimit të jetës
dhe jo jetës, të përllogaritin në mënyrë individuale primet për çdo shoqëri sipas një metodologjie të mirëpërcaktuar nga AMF në mënyrë që tarifat e aplikuara të jenë të ndryshme për çdo shoqëri dhe të jenë të orientuara drejt kostos.

Prandaj citohet në vendimin e Konkurrencës ; kërkesa e AMF-së për rishikimin e Vendimit “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ndërmjetësimit në sigurime nga bankat e nivelit të dytë, vendosjen e disa detyrimeve dhe rekomandimeve” nuk është pranuar dhe janë lënë në fuqi rekomandimet e dhëna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë