Vende dhe Udhetime

Kongthong: Fshati indian ku emri i banorëve është një këngë

I vendosur në mes të kodrave të gjelbërta Lindore Khasi në shtetin Meghalaya në verilindjen e largët të Indisë, fshati Kongthong është i arritshëm vetëm me tre orë me makinë nga kryeqyteti i shtetit, Shillong. Qytetërimi është i rrallë në këto anë dhe fshati është i rrethuar nga kreshta të larta madhështore dhe gryka të thella marramendëse. Është gjithashtu shtëpia e një tradite unike të quajtur jingrwai iawbei, e cila ka lulëzuar aty për shekuj. Sipas kësaj tradite, çdo të porsalinduri në Kongthong i caktohet një emër dhe një melodi e veçantë nga nëna. Ndërsa emri i tyre përdoret vetëm në vende zyrtare, melodia bëhet identiteti i tyre të cilit ata i përgjigjen gjatë gjithë jetës. Pasi një person vdes, melodia e tij vdes me të, për të mos u përsëritur kurrë për askënd tjetër.

"Është një shprehje e dashurisë dhe gëzimit të nënës për lindjen e fëmijës së saj. Është si kënga e zemrës së nënës, plot butësi, pothuajse si një ninullë", tha Shidiap Khongsit, një grua që i përket fisit Khasi, një nga tre fiset e Meghalaya që banon në Kongthong.

Khongsit foli për katër fëmijët e saj dhe këndoi emrat e tyre në melodi, secili 14 deri në 18 sekonda i gjatë dhe dukshëm i dallueshëm nga tjetri. "Këto janë versionet më të gjata dhe origjinale që ne këndojmë nëpër fusha, kur dikush duhet të thërrasë dikë nëpër kodra dhe lugina", shpjegoi ajo.

Në të kaluarën, meloditë përdoreshin për të ruajtur njëri-tjetrin në pyll gjatë gjuetisë dhe gjithashtu "për të larguar shpirtrat e këqij".

"Ne besojmë se shpirtrat e këqij që banojnë në pyje nuk mund t'i dallojnë meloditë tona nga njëri-tjetri ose nga thirrjet e kafshëve”, tha Khongsit.

Ajo shpjegoi se ekziston edhe një version më i shkurtër, një ekstrakt i melodisë së gjatë që është i ngjashëm me një pseudonim ose shkurtim emri, i cili këndohet kur personi është më afër, le të themi në shtëpi ose në park lojërash. Kur dëgjohen nga larg, meloditë tingëllojnë si bilbil, kjo është arsyeja pse Kongthong është quajtur "Fshati i bilbilave".

"Askush nuk mund të thotë me siguri se kur filloi, por shumica pajtohen që ka ekzistuar që nga krijimi i Kongthong. Vetë Kongthong ka ekzistuar edhe përpara se mbretëria e Sohra të krijohej nga njerëzit tanë dhe nga ata nga fshatrat e tjerë të zonës".

Mbretëria e Sohra u themelua në Cherrapunji aty pranë, i famshëm dikur për faktin se ishte vendi më i lagësht në Tokë, diku në fillim të shekullit të 16-të. Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, zakoni nuk u dokumentua kurrë, deri vonë.

Doktoresha Piyashi Dutta lindi dhe u rrit në Shillong dhe aktualisht është asistente pedagoge në Shkollën e Komunikimit Amity në Noida, afër Delhi. Ajo mësoi për Kongthong gjatë doktoraturës së saj.

"Meghalaya është një shoqëri matrilineale, ku parimet matrilineale, etosi, traditat dhe zakonet janë të ngulitura thellë në sistem dhe të transmetuara gojarisht brez pas brezi", tha ajo.

Kongthong nuk bën përjashtim. Aty praktikimi i melodive ose këngëve si emra është i rrënjosur në moralin e tyre kulturor dhe transmetohet gojarisht.

Jingrwai iawbei do të thotë një melodi (jingrwai) e kënduar për nder të paraardhësve ose nënës së parë të fisit (iawbei).

"Pra, një konotacion simbolik i bashkëngjitet edhe praktikës që ju nuk po i caktoni vetëm një melodi një të porsalinduri, por gjithashtu po i kushtoni respekt dhe kërkoni bekimet e paraardhëses suaj".

Në fakt, punimi i Dutta-s mbi Kongthong-un i botuar në Buletinin Sociologjik Indian në vitin 2016, është dokumentacioni i parë i praktikës. Në të njëjtin vit, regjisori indian Oinam Doren publikoi një dokumentar 52-minutësh të titulluar "My Name is Eeoooë" në Kongthong dhe traditën e tij unike. Filmi, i cili fitoi çmimin Tangible Culture në Festivalin e 15-të të Filmit RAI në Bristol, tregon se çfarë ndodh me këtë shprehje të dashurisë nga nëna kur fëmijët shkojnë drejt qyteteve më të mëdha dhe ekspozohen ndaj stileve moderne të jetesës.

Deri kohët e fundit, lëvizja nga fshati në Shillong ose në qytete të tjera ishte praktikisht e padëgjuar në Kongthong, edhe pse nuk ka Universitet. Por kohët e fundit, një numër në rritje i të rinjve janë larguar për studime të larta dhe mundësi punësimi, dhe shumë prej tyre po humbasin lidhjen me traditat e tyre.

"Kjo është diçka që komuniteti duhet të reagojë. Ndoshta ata mund të kenë sesione në komunitet ku diskutohet rëndësia e praktikës së vjetër dhe gjenden opsionet se si ta vazhdosh atë edhe kur jetoni diku tjetër”, tha Dutta.

Rothell Khongsit, i cili ishte transferuar në Shillong për arsim të lartë dhe për t’u kthyer më pas në shtëpinë e tij, në fshat.

Tani ai është kryetar i Komitetit të Zhvillimit të Fshatit Kongthong dhe sekretar i Shoqërisë Indigjene të Agro-Turizmit të fshatit.

"Unë nuk u kënaqa me punën e mirë të qeverisë në qytetin e madh. Zemra ime ishte këtu me fshatin tim dhe isha i apasionuar pas promovimit të kulturës sonë”.

Deri vonë, tha Khongsit, fshatarët nuk ishin të vetëdijshëm se praktika e tyre unike mund të ishte një tërheqje për vizitorët.

"Për ne, kjo është e rrënjosur në ADN-në tonë. Një grua nuk mësohet se si të kompozojë një melodi, asaj i vjen natyrshëm pas lindjes së fëmijës. Ne mësojmë meloditë që na janë caktuar neve, si dhe anëtarëve të familjes dhe miqve tanë, ashtu si ne mësojmë gjuhën tonë amtare, duke e dëgjuar që nga lindja”.

Kohët e fundit, megjithatë, me një interes në rritje për vendin nga të huajt për shkak të aksesit dhe vëmendjes së shtuar, fshati ka filluar të realizojë potencialin e tij turistik. Në vitin 2014, u ndërtua një rrugë për në Kongthong që zëvendësoi shtegun e mëparshëm të ecjes nëpër male; dhe një vit më parë, në fshat u ndërtua një shtëpi në stilin tradicional duke përdorur materiale vendase si bambu.

Fshati që atëherë ka parë një rritje të ngadaltë të udhëtarëve nga e gjithë India. Këtë shtator, u nominua për çmimin ‘Fshati më i mirë turistik’ nga Organizata botërore e turizmit.

"Ky vend nuk është për njerëzit që duan vetëm të kenë një pamje pasi sinqerisht, përveç bukurisë natyrore piktoreske, nuk ka shumë për të parë. Kongthong është për ata që duan të përjetojnë kulturën e rrallë, unike që kemi këtu, ata që do të kujdesen të dëgjojnë, kuptojnë dhe vlerësojnë atë që mund të gjejnë vetëm këtu dhe askund tjetër", thotë Khongsit.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë