Art dhe Kulture

Kongoli, Muçi dhe Duni prezantojnë Shqipërinë në Itali

“Të orientohemi në të tashmen dhe të reflektojmë për të ardhmen”. Nën këtë slogan do të startojë më 4 shtator “Festivaletteratura 2019”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të letërsisë në Itali.
Festivali letrar, i cili këtë vit mban edicionin e tij të 23-të, do të bëjë bashkë autorë të huaj dhe emrat më të mirë të letërsisë nga e gjithë bota, e ku një vend të rëndësishëm si protagoniste do të jetë edhe Tirana.
‘Tirana, një qytet në libra’ do të prezantohet përgjatë 5 ditëve, nga 4 shtator-8 shtator.
Një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në ‘Piazza Sordello’, nën kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit Luca Scarlini.

Biblioteka e përkohshme, falë bashkëpunimit midis “Festivaletteratura”, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Rrjetit të Bibliotekave në Mantova, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe të Bashkisë së Tiranës, dëshiron të jetë një dritare për shkrimtarët dhe ngjarjet e një kryeqyteti nga e kaluara e afërt që shikon për të ardhmen. Një rrugë e rikonstruktuar nga kuratori si dhe e pasuruar nga kontributi i udhëzuesve të bibliotekave shumë të vlefshme, të cilët së bashku me veprat më domethënëse të autorëve shqiptarë do të jenë gjithashtu një mundësi për të rizbuluar histori si ajo e Jeronim de Radës, intelektuali dhe poeti arbëresh që u bë një nga protagonistët e letërsisë shqipe të shekullit XIX; të udhëtarëve si Edith Durham dhe shkrimtarit Joseph Roth, të cilët ishin magjepsur nga sharmi i një toke aty pranë, por misterioze; të gjuhëve që tregojnë ende një vitalitet të jashtëzakonshëm, si ai i komunitetit arbëresh të Italisë së Jugut.
Pra, evenimenti kulturor i këtyre ditëve në shtetin italian do të shërbejë në njëfarë mënyre për të konsoliduar dimensionin ndërkombëtar të kulturës dhe artit në përgjithësi dhe duke shkurtuar distancën mes popujve.
Me prezencën e tyre në stendë do jenë dy zëra të rëndësishëm të letrave shqipe, shkrimtarët Fatos Kongoli e Virgjil Muçi.
Shkrimtari Fatos Kongoli është autor i një vargu librash dhe ka arritur të rrëmbejë një sërë çmimesh letrare në vend. Kongoli këtë vit fitoi edhe çmimin e madh në Panairin Kombëtar të Librit në Fier me romanin “Gënjeshtar të vegjël”. Po ashtu me një veprimtari letrare dhe artistike të gjerë dhe të larmishme është edhe protagonisti tjetër i stendës, Virgjil Muçi.
Ndërkohë, hapësirë e gjerë do t'i jepet gjithashtu arkitekturës së Tiranës me praninë e arkitektes Elisabetta Terragni, autore e restaurimeve të rëndësishme dhe krijimit të hapësirave muze, përfshirë Muzeun e Gjetheve dhe Shtëpinë-Muze “Kadare”.
Por nuk lihen pas as tingujt e muzikës, ku do të ndërthuren me zërat dhe tingujt e diasporës dhe zëri i këngëtares shqiptare të xhazit, Elina Duni.
Ndërkohë, në mesin e autorëve të huaj do të jenë për herë të parë në Mantova shkrimtarja kanadeze me famë botërore, Margaret Atwood, skocezi Ali Smith, disa herë kandidat për Nobel, romacierja amerikane Valeria Luiselli dhe shkrimtari letërsisë bashkëkohore spanjolle, Manuel Vilas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë