Ekonomi

Konflikti dhe paqëndrueshmëria politike në krizat bankare tek ekonomitë në zhvillim

Nga Montfort Mlachila dhe Rasmane Ouedraogo – Ndërsa efektet ekonomike të konfliktit dhe paqëndrueshmërisë politike janë analizuar gjerësisht, shumë më pak vëmendje i është kushtuar mënyrës se si preken bankat.

Stafi i FMN-së adreson këtë boshllëk duke hetuar nëse konflikti dhe paqëndrueshmëria politike globale në rritje gjatë disa dekadave të fundit ka çuar në më shumë kriza bankare në vendet në zhvillim. Studimi përqendrohet në ndikimin e mundshëm të konfliktit dhe paqëndrueshmërisë politike në krizën sistematike bankare në 92 vende në zhvillim gjatë periudhës 1970-2016.

Zbulohet se shanset për një krizë bankare janë 2.5 herë më të mëdha kur një vend preket nga një konflikt. Konfliktet dhe paqëndrueshmëria politike në vendet fqinje rrisin mundësinë e krizave bankare në një vend të caktuar. Dhe probabiliteti për të përjetuar një krizë bankare është 25 përqind kur konflikti zgjat 10 vjet, kundrejt 16.4 përqind kur zgjat dy vjet.

Valët e mëdha të konfliktit priren të shoqërohen me një shkallë më të lartë të shfaqjes së krizave bankare.

Për shembull, gjatë luftës civile të Sierra Leone (1991-2002), më shumë se 40 përqind e kredive të sistemit bankar ishin joperformuese dhe licenca e një banke u pezullua në 1994. Në Republikën e Afrikës Qendrore, kreditë joperformuese të bankave u rritën në më shumë se një- e treta e huave gjithsej dhe disa banka u nënvlerësuan pas shpërthimit të konfliktit në 2013.

Kanali kryesor i transmetimit është shfaqja e krizave fiskale pas një konflikti ose paqëndrueshmërie politike. Konfliktet dhe paqëndrueshmëria politike mund të kenë një ndikim negativ në aftësinë prodhuese të një vendi dhe kjo nga ana tjetër mund të zvogëlojë të ardhurat e qeverisë dhe të rrisë shpenzimet joproduktive, përfshirë shpenzimet ushtarake, duke çuar në kriza fiskale. Kjo gjithashtu mund të çojë në mosfunksionim qeveritar dhe dobësim të institucioneve.

Studimi sugjeron që qeveritë që përballen me konflikt dhe / ose paqëndrueshmëri politike duhet të adresojnë shkaqet e tyre kryesore dhe të përpiqen të zbusin efektet e tyre negative me hartimin dhe zbatimin e duhur të politikave ekonomike. Krijimi i hapësirës adekuate fiskale në periudha normale mund të zvogëlojë mundësinë e krizave fiskale dhe nga ana tjetër të ulë probabilitetin e krizave sistemike bankare.

Gjetjet sugjerojnë gjithashtu që politikëbërësit duhet t’i kushtojnë vëmendje konflikteve në vendet fqinje edhe nëse ato vetë nuk janë të prekura nga konflikti pasi sistemet e tyre bankare mund të pësojnë rrjedhje negative nga fqinjët e tyre duke pasur parasysh që bankat operojnë përtej kufijve./Burimi: Fondi Monetar Ndërkombëtar/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë