Lajme

Konfirmohet Kaçkini, kandidate për SPAK, shkarkohet gjyqtari Mustafaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Prokuroren e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elida Kaçkini.
Kaçkini rezultoi pa probleme në të tria kriteret e Komisionit të Vettingut. Trupa e KPK-së që ka kryer rivlerësimin e Kaçkinit përbëhej nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja.
Më 16 korrik, kur u zhvillua mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prokurorja e Tiranës u shpall kandidate për në SPAK. Kaçkini e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Tiranës.
Ndërkaq, KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Tiranës, Ilir Mustafaj. Mustafaj është gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, ndërsa prej më shumë se një viti ishte në pritje për t’u bërë gjyqtar Kushtetuese.

Gjyqtari Ilir Mustafaj

Gjatë seancës dëgjimore Mustafaj kërkoi dhe ndërrimin e trupit gjykues për shkak të konfliktit që kishte me relatoren Xhensila Pine, por kjo kërkesë u rrëzua. Pas vendimit të KPK-së ai u shpreh se vendimin do ta ankimojë në instancat më të larta.
Mustafaj u shpreh se “sot ka humbur vendi, ka humbur Gjykata Kushtetuese, e cila nuk do të ketë në përbërje të saj një gjyqtar të ndershëm, profesional, të karrierës dhe një profesor të së drejtës”.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se ka mbështetur reformën në drejtësi dhe institucionin e vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë