Konfindustria përmes një deklarate i kërkon qeverisë të marrë masa të jashtëzakonshme paraprake për të parandaluar spekullimet e mundshme dhe rritjen e pakontrolluar të çmimeve në tregun e karburanteve si pasojë e zhvillimeve të fundit në Iran dhe Lindjen e Mesme.
Mënyra e sotme e organizimit të tregut të karburanteve në vend, thotë Konfindustria, me shfaqje të përsëritura të sjelljes të tipeve “oligopol”, “kartel”, etj. nga operatorët si dhe shkalla e ulët e kontrollit nga agjencitë qeveritare, rrisin shumë mundësinë e shkarkimit të rritjes së çmimeve në mënyrë të menjëhershme si dhe kostove të spekullimeve shtesë në dëm të qytetarëve dhe biznesit.
“Vlerësohet, se kosto agregate e rritjes në mënyrë të pakontrolluar dhe spekullimeve të mundshme me çmimet e karburanteve ne ekonomi rrezikon të jetë e rendit të qindra milionë $. Tregu i karburanteve është më i madhi me mbi 10% të PPB-së dhe qarkullim vjetor të njohur, që tejkalon 1,3 miliard $. Mbi 60% e çmimit fundor të shitjes së karburanteve në tregun me pakicë e përbëjnë taksat dhe tatimet”- citon Konfindustria në deklaratën e saj.
Për shoqatën e biznesit, pasojat e rritjes së çmimit të naftës në tregjet botërore mund të ndihen edhe në prodhimin e energjisë elektrike, pasi, sqaron ajo, Shqipëria është importuese neto e energjisë elektrike dhe sot ka çmimin më të lartë në Rajon për biznesin.
Ekonomia kombëtare dhe veçanërisht sektori prodhues, rrezikon të bllokohet tërësisht, nëse çmimet e karburanteve në treg do të rriten në mënyrë të pakontrolluar.
Shqipëria edhe sot bën pjesë në shtetet me çmimet më të larta në Europë dhe në nivel botëror. Nëse do të kihet parasysh edhe kosto shtesë nga cilësia jashtë standarteve e shumicës së produkteve të karburanteve në qarkullim në treg, gjykon Konfindustria, Shqipëria mund të jetë shteti me çmimin më të lartë në shkallë botërore.
Konfindustria argumenton se çmimet e larta të karburanteve dhe energjisë elektrike, janë një nga arsyet kryesore të pengimit të investimeve të vendit dhe të huaja në ekonomi, të shkallës së ulët të konkurencës së prodhimeve dhe shërbimeve vendore dhe nivelit të ulët të mirëqënies së qytetarëve shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.