Lajme

Komunizmi ekzotik në sytë e turistëve të huaj

Jemi në dhomën ku pasqyrohet mënyra e arredimit të një kuzhine në periudhën socialiste.

Bufeja ngjyrë mjalti e zënë me pjesën prej xhami në të djathtë ku vendoseshin qelqurinat të cilat pastroheshin me themeli sidomos në prag të Vitit të Ri. Mandej janë kolltukët me damask kafe të çelët, tavolina e mesit e vogël me të njëjtën ngjyrë të bufesë, një çentro e punuar me bizë dhe mbajtësja e karameleve mbi të.
Një gazetar I huaj më pyet: “kështu kanë qenë vërtet të arreduara shtëpitë në atë kohë?”.

Mobilimi i kuzhinës në periudhën socialiste

“Po i them. E kam jetuar për pak vite atë periudhë. Unë bufenë e kisha identike me këtë që shohim këtu në muze. Ekzistonin në atë kohë disa modele të ndryshme”.
Periudha historike e komunizmit në Shqipëri bart një interes të veçantë, jo vetëm për studiuesit vendas e të huaj, por kryesisht për gazetarët e huaj e për turistët.
Turistët dhe vizitorët , edhe ata shqiptarë e gjejnë të pasqyruar këtë periudhë në muzetë Bunkart 1 dhe Bunkart 2.

Shifrat në rritje të personave që vizitojnë këta muze tregojnë interesin e njerëzve për këtë periudhë të historisë sonë.

Sipas statistikave që vetë Bunkart vë në dispozicion për gazeta “Si”, në vitin 2016 kur muzeu u hap për të qëndruar I tillë në vazhdimësi për publikun pas hapjes së parë në 2014 për pak kohë, un numëruan rreth 24 mijë vizitorë. Në vitin 2017 rreth 26 mijë dhe në vitin 2018 rreth 30 mijë.

Këto shifra i përkasin vizitave në Bunkart1.

Bunkart2 në vitin 2016 e kanë vizituar rreth 7300persona. Në vitin 2017 rreth 60 mijë të tillë dhe në vitin 2018 rreth 73 mijë.

Shumica e turistëve janë të huaj, kryesisht gjermanë , izraelitë, italianë, amerikanë.

Bunkart1 është pozicionuar në zonën ushtarake të Dajtit. Aty mund të shkohet me makinë ose me autobus të vendosur në dispozicion nga vetë muzeu.

Bunkart1 është i ndarë në 5 nivele ose pavione ku historia përmes objekteve, materialeve dhe dokumenteve është pasqyruar sipas etapave: 1939-1943 Shqipëria nën Italinë fashiste, 1941-1945 Diplomacia gjatë luftës, 1943-1944 Shqipëria gjatë pushtimit gjerman, 1945-1947 Paslufta: shpresa dhe zhgënjime, 1945-1990 Shqipëria pas çlirimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë