Treg

Kompanitë e sigurimit arkëtuan 3.5 mld lekë vetëm në 2 muaj. Rriten kontratat për shëndetin

Nga Gazeta 'SI' - Tregu i sigurimeve në vend arriti 3.5 mld lekë në dy muajt e parë të 2024-s, duke u rritur me mbi 8% nga një vit më parë. Vetëm për periudhën janar-shkurt, shqiptarët kanë nënshkruar 204.626 kontrata sigurimi.

Vetëm zëri i sigurimit të detyrueshëm motorik, arkëtoi mbi 2 mld lekë, me rritje 10% nga një vit më parë.

Një rritje e fortë raportohet në sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, mbi 18%. Sigurimet për aksidentet dhe shëndetin u rritën me 21.26%.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregon se sigurimet e jetës përbëjnë vetëm 8.72% të totalit, ndërsa të jo-jetës 91.28%.

Sigurimi vullnetar po zë gjithnjë e më shumë peshë në tregun e sigurimeve, me pothuajse 43% të totalit. Pjesa tjetër, 57% i përket sigurimit të detyrueshëm. Më herët hendeku ka qenë më i thellë, ku e vetmja gjë që shqiptarët siguronin ishte makina.

Gjatë dy mujorit janar-shkurt 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, kaluan shifrën e 1.2 mld lekëve ose 19% më shumë se në janar-shkurt 2023. Ndërkaq, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik u regjistruan në 815 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë