Treg

Kompanitë e sigurimeve arkëtuan 1.8 mld lekë vetëm në janar. Rriten dëmshpërblimet

Nga Gazeta 'SI' - Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka nisur pozitivisht edhe 2024-n, duke shënuar një rritje vjetore me 4%. Vetëm në janar të ardhurat e këtij tregu sipas AMF, janë 1.77 mld lekë dhe janë lidhur mbi 104 mijë kontrata.

90.4% e tregut dominohet nga sigurimet e jo-jetës, kryesisht ato motorike që janë të detyrueshme, prej 1 mld dollarësh. 9.6% i përket sigurimeve të jetës.

Vërehet një ndryshim i ndarjes së tregut, ku sigurimet vullnetare kanë rritur pjesën e tyre dhe përbëjnë mbi 41% të tregut, ndërsa ato të detyrueshme 59%. Më herët hendeku ka qenë më i thellë, ku e vetmja gjë që shqiptarët siguronin ishte makina.

Në shifra absolute për janarin, sigurimi vullnetar ka shënuar një rënie prej 4%, duke arkëtuar vetëm 730 mln lekë. Duket se ndikim ka patur ulja e kontratave për sigurimin e pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës me 1.4%. Ky zë ka arkëtuar 277 mln lekë.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, arritën në rreth 158 milionë lekë. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar 2024, arritën rreth 171 milionë lekë.

Gjatë muajit janar 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 608 milionë lekë, ose 8.5% më shumë se në janar 2023. Ndërkaq, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik u regjistruan në 413 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 17.92% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë