Kuriozitete

Kompania ku kolegët vendosin për pagën e njëri-tjetrit

Një firmë softuerësh po ndërmerr një qasje radikale se si i trajton punonjësit. “10 Pines” përpiqet të jetë transparente dhe demokratike, madje duke lejuar stafin të vendosin për pagat e njëri-tjetrit.

Ariel Umansky, një nga punonjësit vendosi të refuzonte rritjen e pagës së tij të propozuar prej 7% në dhjetor 2020. Ai e ndjeu se nuk mund ta justifikonte atë para kolegëve. Në fakt ishte hera e dytë në pesë vjet që ai do të refuzonte një rritje në "10 Pines".

"Unë nuk doja të merrja një rrogë më të lartë se njerëzit që mendoj se punojnë më shumë se unë”, tregon ai.

Pagat vendosen tre herë në vit në "takimin e tarifave" të kompanisë argjentinase, i cili përfshin të gjithë përveç punonjësve të rinj që janë akoma në provë. Punonjësit mund të paraqesin kërkesën për rritje rroge, kërkesë e cila diskutohet hapur.

10Pines është një biznes teknologjik i themeluar në 2010 me 85 të punësuar, në Buenos Aires. Ai bën kartat e anëtarësisë në internet për klientët e Starbucks dhe Burger King si dhe aplikacionet dhe platformat e tyre.

Çdo vit 50% e fitimeve të biznesit ndahen midis stafit.

"Një aspekt kryesor i pagave të hapura nuk është të dish se sa po fitojnë të gjithë por të dish kush fiton më shumë se kush, është hierarki, apo jo?", thotë Umansky.

10Pines do të jetë transparente me të gjithë punonjësit. Pas një periudhe prove tre-mujore, stafi i ri bashkohet me pjesën tjetër të ekipit në takimet mujore, në të cilat merren vendimet kryesore të ndërmarrjes, të tilla si klientë të rinj të mundshëm, shpenzime, financat e kompanisë dhe natyrisht pagat.

Një nga mbledhjet e kompanise

Nuk ka CEO të përgjithshëm dhe menaxherë brenda ekipeve, megjithëse ka figura të larta që janë partnerë, të njohur si "bashkëpunëtorë".

"Meqenëse nuk ka bosë për të vendosur ngritjet, ne ua delegojmë pushtetin njerëzve", thotë Jorge Silva, bashkëthemelues i 10Pines.

"Ne nuk duam një hendek të pagës si në Shtetet e Bashkuara."

Punonjësit e rinj mund të negociojnë pagën e tyre në një farë mase, thotë Silva, e cila mund të jetë problem në fillim. Paga e tyre e propozuar diskutohet me ata që kanë pak kohë që janë pjesë e kompanisë, për të marrë pëlqimin e tyre.

Në intervistën përfundimtare të procesit të punësimit, punonjësi takon të gjithë ekipin dhe bisedojnë. Nuk ka asnjë pyetje teknike në këtë fazë, ka të bëjë më shumë me të mësuarit për interesat e njerëzve dhe një mënyrë për të parë se si funksionon 10Pines.

10Pines e quan qasjen e saj "sociokraci". Ajo u frymëzua nga biznesmeni brazilian Ricardo Semler dhe përvoja e tij duke transformuar firmën prodhuese të familjes së tij ‘Semco’. Ai e shndërroi atë në një të ashtuquajtur "kompani të shkathët, bashkëpunuese" me punëtorë që mbikëqyrnin problemet që u liheshin tradicionalisht menaxherëve, duke zbuluar se kjo çoi në një numër të ulët të stafit dhe fitime të larta. Ai shkroi për këtë në një libër të quajtur ‘Maverick’!

“Ekzistojnë gjithnjë e më shumë kompani të tilla në të gjithë botën”, thotë Ben Whitter shefi i trajnimit të punonjësve dhe firmës këshilluese HEX Organisation në Mbretërinë e Bashkuar. Ideja e pagave transparente mund të jetë një mënyrë e mirë për të barazuar fushën e lojës, midis burrave dhe grave për shembull.

Sidoqoftë, ai sheh disa pengesa në lidhje me 10Pines. Ndërsa ky ‘rregull’ mund të funksionojë kur janë 80 të punësuar, në momentin që dyfishohet, çdo gjë mund të ndryshojë.

Marrja e vendimeve bazuar në takimin individual të tërë forcës së punës mund të dëmtojë ata që janë introvertë, ndërsa krijon gjithashtu një "paragjykim natyror të mendimit në grup, ku njerëzit marrin vendime që normalisht nuk do t'i merrnin si individ, duke ngritur probleme rreth diversitetit dhe përfshirjes", thotë Whitter.

"Ne kemi evoluar me procesin për 12 vjet", shpjegon Angeles Tella Arena, një punonjëse e vjetër në kompani.

Për shembull, ato i filluan diskutimet për pagat kur ishin 30 punonjës dhe kishin frikë se nuk do të funksiononte me 50, por thjesht vazhduan të mësoheshin dhe tani janë pa asnjë problem me 80 punonjës.

“Mund të jetë e nevojshme të krijoni një zyrë të dytë nëse kompania vazhdon të rritet, e cila do të përsëriste dhe drejtonte të njëjtin sistem në mënyrë autonome”, thotë ajo.

"Gjëja kryesore është të kuptojmë se ekziston një ndryshim midis të barabartit dhe të drejtës", thotë bashkëthemeluesi Jorge Silva.

"Ne nuk jemi të gjithë të barabartë, por përpiqemi të jemi të drejtë. Ne nuk duam të jemi si kompania klasike që përpiqet të kontrollojë punonjësit dhe i trajton ata si fëmijë", shton Silva.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë