Ne rrjet

Komonuelth Europian, plani sekret i Boris Johnson për të ndarë Ukrainën nga Rusia dhe BE

Gazeta Si - Mbrëmja e profilit të lartë për Evropën ishte planifikuar për të martën në Davos. Në tavolinat e një salle të izoluar të Qendrës së Kongresit, u ulën tre kryeministra të Unionit - të Belgjikës, Greqisë dhe Spanjës - presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, dy ‘pesha të rënda’ të Komisionit të Brukselit, si Paolo Gentiloni dhe Frans Timmermas, shumë ministra nga vende të ndryshme, shefi i inteligjencës së Jashtme në Paris.

Megjithatë, mungonte i ftuari më i shumëpritur: ministri i Jashtëm i Kievit, Dmytro Kuleba. U njoftua se do të ishte, por nuk u shfaq kurrë.

Në dukje, Kuleba nuk ka humbur shumë, sepse struktura evropiane në nivelin e saj më të lartë, e shmangi thuajse plotësisht përmendjen e luftës në kufijtë e Bashkimit gjatë gjithë mbrëmjes.

Por pikërisht këto heshtje, ndonjëherë surreale dhe mungesa e të ftuarit të Kievit, kanë ekspozuar tensionin rrëshqitës mes Ukrainës dhe disa prej vendeve kryesore të Bashkimit Europian.

Pikërisht në këtë hapësirë, Boris Johnson po përpiqet të fusë veten, me një iniciativë që synon të prishë kartat në Evropë.

Kryeministri i Londrës propozon një sistem të ri aleancash politike, ekonomike dhe ushtarake - alternativë ndaj Bashkimit Evropian - që mbledh vendet e bashkuara nga mosbesimi ndaj Brukselit dhe gjithashtu ndaj reagimit të Gjermanisë ndaj agresionit ushtarak rus.

Boris Johnson e ka endur rrjetin e tij për më shumë se një muaj, sipas disa njerëzve të njohur me bisedimet dhe të pranishëm këto ditë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kryeministri ia prezantoi idenë e tij për herë të parë Volodymyr Zelenskijt, kur presidenti ukrainas e priti atë në Kiev më 9 prill.

Modeli i Komonuelthit Evropian që ka në mendje Boris Johnson, do të shihte Britaninë e Madhe si udhëheqëse dhe do të përfshinte, përveç Ukrainës, Poloninë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, si dhe potencialisht Turqinë në një datë të mëvonshme.

Që nga vizita e kryeministrit britanik në Kiev, bisedimet kanë vazhduar dhe miqësia angleze ndaj Ukrainës, po bëhet gjithnjë e më urgjente dhe më e detajuar.

Nga ajo që raportojnë pak njerëz të informuar jashtë Londrës, Johnson propozon një aleancë shtetesh xheloze për sovranitetin e tyre kombëtar, liberalë në ekonomi dhe të vendosur deri në papranueshmërinë maksimale ndaj kërcënimit ushtarak të Moskës.

Qeveria e Kievit, nga ana e saj, nuk ka mbajtur qëndrim për iniciativën britanike, por për momentin nuk e ka ndalur atë në fillim.

Elita ukrainase është bindur se në pallatet e pushtetit në Gjermani dhe Francë, shumë pak shpresojnë për humbjen e Vladimir Putinit.

Vonesat në sanksionet dhe armët që do të dërgohen tani, kanë hapur një hendek politik.

Prandaj, Zelenskij është duke pritur për samitin evropian më 23 qershor, kur liderët e 27 vendeve do të thirren për të vendosur nëse do t'i njohin Ukrainës statusin e "kandidatit" për të filluar zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, nuk është e sigurt se vendimi i 23 qershorit do të jetë ai që shpreson Ukraina, edhe pse do të ngrinte protestat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që presin prej vitesh statusin e “kandidatit”.

Prandaj, sipas disa negociatorëve, ekziston edhe një hipotezë tjetër: udhëheqësit e njëzet e shtatë vendeve mund të kufizohen në deklarimin e paqartë se Kievi ka një "perspektivë evropiane" (e ashtuquajtura "formula e Selanikut").

Në atë rast, Zelenskij do ta merrte më seriozisht ofertën alternative të Boris Johnson.

Është gjithashtu e mundur që thashethemet për këto kontakte të qarkullojnë tani, pikërisht për të bërë presion ndaj liderëve evropianë përpara vendimeve në qershor.

Është gjithashtu e mundshme që projekti britanik të ketë këmbë prej balte: Londra nuk ka kapacitetin e Bashkimit Evropian për të mbështetur financiarisht Ukrainën, as nuk thuhet se Polonia apo vendet baltike ndërmarrin një nismë që mund të komprometojë marrëdhëniet me Brukselin.

Johnson sigurisht që kërkon një dividend politik, vëren një ministër evropian. Kryeministri shpreson të ketë një kartë shtesë në marrëveshjen me Brukselin që ai vetë do të donte ta rihapte për Brexit.

Kështu, Londra përpiqet të prishë ekuilibrin në kontinent. Dhe duke vepruar kështu, mund të përfundojë në zbulimin e një linje thyerjeje që tani ekziston me të vërtetë në kontinentin evropian: atë midis vendeve që po e ndihmojnë më me vendosmëri Ukrainën - Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia mbi të gjitha - dhe atyre që e bëjnë atë në një mënyrë më cinike dhe duke hezituar.

Sipas vlerësimeve të Arianna Antezza nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, vetëm Londra deri më tani ka ofruar më shumë ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Kievin në luftë sesa i gjithë Bashkimi Evropian.

Dhe Polonia ka dhënë më shumë se Gjermania, Franca dhe Italia. Kështu, lufta e Vladimir Putinit, tashmë në muajin e saj të katërt, fillon të hapë çarjet e para politike në Evropë.

Burimi “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë