Politike

Komisioni, PD prezanton planin hetimor për zgjedhjet dhe akuzon Bashkinë Tiranë dhe Vlorë se nuk po japin informacion

Enkelejd Alibeaj tha gjatë mbledhjes së komisionit hetimor për zgjedhjet se Bashkia Tiranë dhe ajo Vlorë nuk i janë përgjigjur detyrimit ligjor për të sjellë në komisionin hetimor për zgjedhjet dokumentet për punësimet nga 1 Janar 2020-31 Prill 2021.

“Për Bashkinë Tiranë Ka edhe një kërkesë tjetër për të sjellë informacion për shpërblimin për tërmetin. Këto 2 bashki nuk kanë kthyer përgjigje. Me gjithë njoftimet e ribëra 3 herë, nuk kanë sjellë pranë komisionit asnjë justifikim ligjor lidhur me mundësinë apo pamundësinë ë tyre”, tha Alibeaj.

Megjithatë deputeti i PS-së Toni Gogu kërkoi kohë me argumentin se shërbimet postare funksionojnë ndryshe.  

“Jam i sigurt se informacioni është duke mbërritur”, tha ai. Ndërkohë opozita në komision ka prezantuar edhe planin e hetimit duke përcaktuar edhe detyrat e komisionit që do të jenë; 1) Kontrolli  i veprimeve dhe mosveprimeve të organeve publike të përfshira në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave personale, përfshirë, por pa u kufizuar në, Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

2) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket dhënies së shpërblimeve, kompensimeve, bonuseve, përfshirë, por pa u kufizuar në, shpërblimet për dëmet e tërmetit të vitit 2019, dhënien/rritjen e ndihmës ekonomike, pensioneve, bonuset e qirasë, rimbursimet e fermerëve, tollonët e karburantëve;

3) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket fondeve të akorduara për kontratat publike (tendera, koncesione), punët publike (shtrime rrugësh, ndërtim dhe rindërtim veprash publike);

4) Kontrolli i veprimeve të organeve publike sa i përket numrit të legalizimeve të ndërtimeve informale dhe lejeve të ndërtimit, përfshirë, por pa u kufizuar në, veprimtarinë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, kryetarëve të Bashkive dhe Këshillit Kombëtar të Territorit;

5) Kontrolli i veprimeve  të organeve publike sa i përket numrit të punësuarve në administratën publike, pagat, shpërblimet dhe bonuset, me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre në zgjedhjet e 25 Prillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë