Lajme

Komisioni Europian: Kufizoni ofertën e pakërkuar!

Investimet përmes ofertës së pakërkuar, detyrimet që rrjedhin nga PPP-të dhe ato që qeveria i ka biznesit janë shqetësimet kryesore që ngre raport progresi i Komisionit Europian për pjesën e Shqipërisë.

Sipas raportit, financimi publik është i pamjaftueshëm për të kapërcyer hendekun e madh në fushën infrastrukturore. Prandaj qeveria po kërkon të përfshijë kapitalin privat, kryesisht përmes partneriteteve publike-private. Investimet publike u rritën mesatarisht 6.2% në vit, në periudhën 2013-2018 thotë raporti dhe mesatarisht përbënin gati 18% të shpenzimeve publike gjithsej. Rritja e aplikimit të financimit përmes PPP gjeneron detyrime potenciale dhe rrjedhimisht risqe fiskale.

Njësia e sapokrijuar e rrezikut fiskal nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të monitoruar këto rreziqe.

Financimi i infrastruktures sugjeron Komisioni Europian përmes Progres Raportit, mund të bëhet më efikas duke shfrytëzuar potencialin për sinergji në planifikimin dhe ekzekutimin e të dyjave, edhe PPP-ve dhe investimeve publike konvencionale.

Gjithashtu, përfshirja e shtetit dhe rimbursimeve publike mbetet e ulët në ekonominë shqiptare, por rritja e mbështetjes tek PPP-të rrit potencialin e ndikimit të shtetit në tregje të caktuara, citohet në raport.

Raporti evidenton se qeveria është angazhuar gjithnjë e më shumë në projektet PPP, veçanërisht për energjinë dhe transportin, ku ka marrëveshje çmimesh apo vëllimi për shërbime dhe mallra. Pagesat e qeverisë për këto kontrata, sipas ligjit kufizohen në 5% të të ardhurave tatimore të vitit precedent dhe për vitin 2018 ky kufi thuhet se është respektuar. Shumica e kontratave ekzistuese të PPP janë përzgjedhur në bazë të propozimeve të pakërkuara, të cilat reduktojnë konkurrencën në prokurime.

Raporti sugjeron rishikimin e legjislacionit për kufizimin e projekteve të pakërkuara.
Megjithëse legjislacioni i prokurimit kohët e fundit është përmirësuar, zbatimi i prokurimit publik ka mbetur i mangët dhe vazhdon të perceptohet si jo transparent, thuhet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë