Para

Komisioni Europian i kërkon Shqipërisë të vendosë tavan për paratë cash

Nga Gazeta 'SI'- Komisioni Europian i ka rekomanduar Shqipërisë të kufizojë sasinë e parasë fizike, duke vendosur një shumë tavan.

Në raportin e fundit të analizës së përputhshmërisë së Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe rregullator komunitar, Komisioni Europian vlerëson se vendi ynë nuk ka ende përputhje të plotë me kuadrin e BE-së mbi hetimin e pastrimit të parave.

Në përditësimin e fundit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), ku listohen vendet sipas rrezikut të pastrimit të parave, Shqipëria ishte ende në liste gri, pra me rrezik të konsiderueshëm.

Shqipëria ndodhet në listën e monitorimit të shtuar të që nga shkurti i vitit 2020. Në vlerësimet e shkurtit 2023, FATF vlerësoi punën e Shqipërisë për të adresuar mangësitë strategjike dhe evidentoi se vendi ynë kishte përfunduar në mënyrë thelbësore planin e tij të veprimit për të adresuar rekomandimet e FATF. Megjithatë, për shkak të shqetësimeve për draftin e amnistisë fiskale dhe penale që ka paralajmëruar qeveria, Shqipëria mbetet në “listën gri” të FATF.

Paraja e thatë në Shqipëri vazhdon të jetë dominuese si nga bizneset edhe nga konsumatorët. Për të reduktuar këtë më herët, ministria e Financave sugjeroi që të gjithë bizneseve t’u vendoset një tavan për sasinë e parave në arkë.

Pagesat me para cash ngelen dominuese në ekonominë shqiptare, megjithëse në vitet e fundit po vërehet një rritje e pagesave me instrumente alternative, kryesisht me karta bankare. Përdorimi i lartë i parasë fizike në transaksionet e ekonomike favorizon informalitetin dhe krimin financiar, përfshirë këtu pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë