Rend dhe Ligj

Komisioneri Publik kundër KPK: Të shkarkohet prokurori i Apelit Durrës

Komisioneri Publik ka ankimuar konfirmimin në detyrë të prokurorit të Apelit në Durrës, Ludovik Dodën.

Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm dhe për rrjedhojë, prokurori nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 255, datë 8.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Ludovik Dodaj”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.

Ludovik Dodaj, prokurori i Apelit në Durrës u konfirmua në detyrë më 8 qershor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Një trupë e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Olsi Komici, bëri me dije se nga gjetjet prej hetimit administrativ ndaj prokurorit të Apelit të Durrësit dhe anëtarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ludovik Dodaj, nuk ishin gjetur probleme në asnjë prej tre kritereve.

Gjatë seancës dëgjimore, Dodës iu vunë në dukje si problem vetëm një mungesë burimesh për një shumë prej 358 mijë lekësh në vitin 2008, të cilën ai e justifikoi me llogaritjen e disa shpenzimeve shtesë në vitet parardhëse. Doda rezultoi pa probleme në dy kriteret e tjera atë të figurës dhe profesionalizmit.

Ludovik Dodaj punon si prokuror pranë Gjykatës së Apelit të Durrësit prej vitit 2002. Në dhjetor të vitit 2019, ai u zgjodh përmes shortit anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë