Politike

Komision hetimor, Kuvendi nuk ka të drejtë t’i përgjigjet Metës

Nga Bledar Hoti - Çështjen “Cakaj” presidenti e dërgon në Parlament, jo për t’u dekretuar si ministër i Jashtëm, por për të hetuar për mënyrën se si e ka fituar certifikatën e sigurisë. Ilir Meta i drejtoi një letër Parlamentit me qëllim krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen “Cakaj”. Arsyeja e kësaj kërkese lidhet me faktin që të hetohej veprimtaria e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucionit që lëshon certifikata e sigurisë për zyrtarët e lartë në Shqipëri. Letra i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit, si dhe krerëve të grupeve parlamentare Taulant Balla i PS-së, Edmond Spaho i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së.
“Duke qenë se posti i zv.ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme përfshihet brenda listës së funksionarëve që detyrimisht duhet të njihen dhe të kanë akses në informacione të klasifikuara “sekret shtetëror”, Zyra e Nën-regjistrit të informacionit sekret shtetëror e krijuar pranë kësaj ministrie, më datë 29.06.2018 e ka njoftuar z.Gent Cakaj që të plotësojë formularin përkatës dhe të japë pëlqimin për t’u verifikuar për pajisjen me certifikatat përkatëse të sigurisë. Z.Gent Cakaj, ka refuzuar për një periudhë 7 mujore përmbushjen e detyrimeve institucionale dhe zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, që sipas parashikimeve të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar përbëjnë shkelje dhe janë të dënueshme”, thuhet në letrën e presidentit.
Më tej theksohet se DSIK me shkresë nr.87 prot, dt. 07.01.2019, i konfirmon Presidentit të Republikës se: “Z.Genc Shkëlzen Cakaj, lindur në Prishtinë më 06.07.1990, është i pajisur me CSP të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së. Këto CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024.”

Shkresa e Presidentit Meta drejtuar Parlamentit për të nisur hetim parlamentar ndaj DSIK-së


Pikërisht me këtë kthim përgjigje, kreu i shtetit ka ngritur aludime në lidhje me faktin nëse DSIK e ka kryer detyrën e vetë ligjore ose jo, ka verifikuar apo jo figurën e Cakajt, pasi i ka kthyer përgjigje brenda 24 orëve, duke e pajisur me certifikatë të propozuarin për ministër të Jashtëm.
“Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj ai nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK)”, thekson Presidenti.
Për këtë kreu i shtetit ndan bindjen se duke qenë se nga ky proces shqyrtues i Presidentit të Republikës, janë evidentuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ai e vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtij institucioni mbi këtë rast.
“Për sa më sipër, në zbatim të nenit 78, pika 2 dhe 3, si dhe nenit 92/h, të Kushtetutës, ligjit nr.8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, i kërkon deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të vlerësojnë këto konstatime, me qëllim ngritjen sipas ligjit, të një Komisioni Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë, për hetimin e veprimtarisë së institucionit të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar mbi procesin e pajisjes me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme”, thuhet në shkresën e Presidentit.

Por a duhet të vihet në lëvizje Kuvend në bazë të një kërkesë, të cilën Presidenti e cilëson të bazuar në ligj, ndërsa referimet në letër si neni 78, pika 2 dhe 3 dhe neni 92/h të Kushtetutës nuk janë të bazuara? Kjo pasi në asnjë dispozitë nuk i jep atribut Metës për t’i kërkuar ngritjen e komisionit hetimor, edhe pse kjo jepet në mënyrë sugjerimi. Kështu pika “h” e nenit 93 thekson se “Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”.
Ish-këshilltari i presidentit Alfred Moisiu, politologu dhe analisti Afrim Krasniqi në një prononcim për Gazetën "Si" thekson se “Meta mund t’i kërkojë, por kjo nuk ka vlerë juridike, pasi Kuvendi nuk ka detyrimin që t’i përgjigjet”. Ndërsa hedh idenë se një gjë të tillë mund ta kërkojnë opozita. Sipas ligjit, për komisionet hetimore, neni 5, “Komisioni krijohet me kërkesë të 35 deputetëve. Grupi nismëtar paraqet qëllimin e krijimit të komisionit, çështjen që do të hetohet, propozimin për përbërjen e komisionit dhe afatin e përafërt të përfundimit të hetimeve. Kuvendi është i detyruar ta miratojë ngritjen e komisionit. Kuvendi ka të drejtë të krijojë komision hetimi, sipas rregullave të këtij ligji, kur kërkohet nga jo më pak se 5 deputetë, ose nga një komision i përhershëm, për hetimin e një çështjeje të veçantë, ose kur fillon procedura e shkarkimit të zyrtarëve me imunitet”.
Kështu nisma për hetime për çështje të caktuara është vetëm e drejtë ekskluzive e Parlamentit. Ndërsa në historinë parlamentare nuk ka pasur ndonjë precedent të mëparshëm që pas miratimit të Kushtetutës, që një president të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Por kërkesa e Presidentit Meta ka gjetur mbështetje të menjëhershme nga lideri i PD-së, Lulzim Basha. Në një prononcim të dhënë për gazetarët, Basha ka deklaruar se opozita do të ndërmarrë hetim parlamentar për DSIK, kryeministrin Rama, Ditmir Bushatin, Gent Cakaj dhe SHISH për dhunimin e ligjit që cenon sigurinë e informacionit sekret dhe që cenon sigurinë e vendit.

"Nuk jam në dijeni të kerkesës së Presidentit, por që prej publikimit dje të dekretit të Presidentit, ashtu siç bëra publike dhe në emisionin “Opinion” mbrëmë, kemi nisur punën për të hetuar në të gjitha format e mënyrat duke përfshirë dhe hetimin parlamentar, përgjegjësitë e DSIK-së, zv.ministrit Caka, ministrit Bushati, kryeministrit Rama dhe Shërbimit Informativ të Shtetit, në dhunimin e ligjit për informacionin e klasifikuar sekret në Republikën e Shqipërisë dhe pasojat që kjo ka për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e NATO-s", tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë