Futboll

Kombëtarja shqiptare, Mesi dhe finalja e Championsit në sytë e kampionit Pablo Zabaleta

Ndryshe nga dekadat e fundit, përfaqësuesja shqiptare sot drejtohet nga një miks trajnerësh amerikano-latinë, brazilianët Silvinjo dhe Doriva dhe argjentinasi Zabaleta. Rreth 3 vite më parë ky i fundit mbylli karrierë me mbi 600 ndeshje mes klubeve dhe Argjentinës, që në kohën e tij arriti deri në finalen e Botërorit 2014 përballë Gjermanisë, ku u mundën pavarësisht Lionel Mesit në përbërje. Megjithatë, si argjentinas ai mban sot statusin e kampionit të botës.

Me klube karriera e tij kryesisht ka qenë në Premier Ligë, ku me Mançester Sitin u aktivizua për 9 vite, duke qenë edhe kapitenii kësaj skuadre. Me 333 ndeshje të luajtura atij i dhanë shansin të jetë ambasdori i skuadrës më të bukur në botë për t’u parë për nga mënyra si luan dhe padyshim më e forta e momentit, perveçse më e shtrenjta.

Zabaleta kur prezantohej ne stafin kuezi bashke me Silvinjon dhe Doriven. gazeta Si, 8 qershor 2023

Në një intervistë për Gazetën Si, Pablo Zabaleta tregon Shqipërinë e parë nga ai në këto 4 muaj, si vend dhe si Kombëtare, Botërorin e Argjentinës, ku ai ishte atje pjesë e sajë si i ftuar i federates dhe si komentator i BBC-së dhe deri te Mançester Siti, që luan finalen e madhe më 10 qershor në Stamboll, atë të Championsit përballë Inerit.

Si kanë qenë ditët e para tuaja në Shqipëri, çfarë ju ka befasuar më tepër, apo çfarë ka dalë jashtë pritshmërive të tua?
Të them të drejtën, ka shumë gjëra shumë të mira këtu në Shqipëri. Më kujtohet dita e pare, kur erdha me Silvinjon, ishte një vend që nuk kisha ardhur kurrë, nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë. Më kanë befasuar shumë gjëra, përveç ushqimit, që është i mrekullueshëm, moti është i mrekullueshëm, plazhi po ashtu së bashku me malet.

Mund të them që është një vend shumë i bukur, nuk e prisja kurrë që të ishte kështu. Në këto 4-5 muaj që jemi këtu çdo gjë ka qenë në kufinjtë e të pabesueshmes. Edhe njerëzit janë shumë të dashur, jam shumë i kënaqur nga Shqipëria, po kalojmë ditë të mira këtu.

Në kaq kohë besoj e keni kuptuar që këtu njerëzit e duan shumë futbollin, edhe juve ju njohin, ashtu si trajnerin…
Kemi qenë në disa ndeshje të kampionatit shqiptar këtu dhe kam vënë re se njerëzit, sportdashësit këtu e duan futbollin. Këto situata këtu më kujtojnë Amerikën e Jugut, futbolli është sporti kryesor. Sa herë hyjmë në stadium, njerëzit më njohin, më kërkojnë ndonjë foto.

Ne punojmë këtu tashmë me skuadrën kombëtare dhe për ne kjo është puna, të shkojmë dhe të ndjekim sportistët, jo vetëm të shohim lojtarët që luajnë jashtë, por jemi të fokusuar edhe te futbolli i kampionatit vendas. Hadroi, apo Rrapaj janë shembujt perfekt që ne kemi treguar interes dhe i kemi ndjekur për t’i pasur në Kombëtare. Kemi një listë të gjatë prej 50-60 lojtarësh. Të gjithë në këtë që po e shijojmë, ne nuk po qëndrojmë thjesht të shohim videot e lojtarëve në kompjuter, por edhe t’i ndjekim ata drejtpërdrejt në stadium.

Tashmë ju keni në një lloj familjariteti me futbollistët shqiptarë, çfarë niveli janë ata krahasimisht me atë që prisnit?
Niveli i kampionatit në Shqipëri është i mirë, sigurisht mund të përmirësohet në vitet e ardhshëm, pasi kam lexuar që do të ketë edhe ndryshime në infrastrukturë, do të ndërtohen stadiume të rinj dhe kjo do të sjellë lojtarë të rinj. Sa i përket Kombëtares, kur erdhëm këtu kishim mësuar se ekipi kishte një brez të ri që tani luajnë të gjithë për skuadra të mëdha, si në Itali, Angli, Spanjë e kështu me radhë. Nisur nga kjo ne kuptuam që këta lojtarë të këtij niveli janë në gjendje dhe duhet të ëndërrojnë për diçka të madhe dhe kjo është një nga arsyet që ne erdhëm këtu.

Ne jemi të vetëdijshëm që kemi një skuadër të fortë. Përpara ndeshjes me Poloninë kishim parë shumë pamje filmike të të gjithë lojtarëve, udhëtuam t’i takonim personalisht ata për t’u përshëndetur, për të shkëmbyer mendime. Por një javë përpara ndeshjes me Poloninë ishim bashkë në të njëjtin vend, në fushë, u stërvitëm dhe aty thashë me vete, këta janë të një niveli shumë të mirë. Mesazhi për ta ishte i qartë, duhet të bëjmë diçka të madhe për Shqipërinë dhe që të bësh diçka të madhe, duhet të punosh.

U thamë lojtarëve që ‘duhet ta bëni popullin tuaj krenar për ju, që të vijnë në stradium, t’ju shohin pasionin tuaj, dëshirën, kualitetin dhe vendosmërinë për të bërë diçka të madhe’. Sigurisht nuk do të jetë e thjeshtë, pasi kemi në grup Poloninë, Republikën Çeke, Moldavinë, por duhet të besojmë që do të shkojmë në Europë, ky është objektivi ynë madhor.

Zabaleta kur luante me Mançester Sitin. Gazeta Si, 8 qershor 2023

Kur flisni për gjëra të mëdha në futboll, të gjithëve ne na kujtohet vendi yt, Argjentina, i cili disa muaj më parë u shpall Kampione e Botës.
Kur vendi yt fiton Kupën e Botës është diçka e jashtëzakonshme. Unë isha në Katar përgjatë gjithë muajit dhe si argjentinas, sigurisht që ndihem shumë krenar. Si lojtar kam një eksperiencë të hidhur në 2014-n, ku humbëm finalen me Gjermaninë. Të gjithë këtë eksperiencë që akumulon si lojtar, dhe tani që je pjesë e grupit të trajnerëve mundohesh t’ua trasmetosh lojtarëve. U them gjithmonë djemve, kur luani për klubet tuaja luani 38 apo 40 ndeshje në një sezon, me ekipin kombëtar janë vetëm 8 ndeshje.

Duhet të dini që kur luan me fanellën e Kombëtares, ai është futbolli i vërtetë, futbolli bio, sepse luan për njerëzit, luan për vendin tënd, vendin që të ka rritur. Nuk ka asgjë më të mirë se kjo. Për një futbollist, kur vesh fanelën e përfaqësueses është diçka speciale, këtë gjë e kam parë edhe te futbollistët shqiptarë. Por unë ua them atyre atë që kam përjetuar dhe gjithmonë i përsëris që sa herë vini këtu duhet të jeni krenarë, luani për vendin për njerëzit tuaj dhe duhet t’i përfaqësoni në mënyrën më të mirë të mundshme. Po si mund ta bëjmë këtë? Çdo ditë në stërvitje jep 100%-shin tënd, në lojë po ashtu. Të gjithë e shohin këtë, të gjithë e kuptojnë, kur ke shanse të shkosh në Europian, sjell entuziazëm për të gjithë.

Si ishte eksperienca juaj në Katar, mund të na tregoni diçka nga atmosfera brenda ekipit argjentinas?
Isha në Katar pak nga të gjitha, si ish-lojtar i përfaqësueses, si komentator i BBC-së dhe ndoqa në stadium çdo ndeshje. Në atë Botëror të gjithë ishim të vetëdijshëm që do të ishte Botërori i fundit i Mesit. Po të shohësh ndeshjet e Argjentinës, ato ishin mjaft të mira. Kështu në fakt ishte çdo ndeshje 2-3 vite përpara Botërorit dhe për këtë arsye të gjtihë kishin krijuar pritshmëri dhe kjo është normale kur sheh që skuadra luan mirë.

Më parë fituan Kupën e Amerikës, që mungonte prej vitesh, por kur humbëm me Arabinë Saudite u krijuan disa dyshime. Por kjo është e bukura e kompeticionit, nëse humbet një ndeshje futbolli, në 3-4 ditë ke shansin për të marrë revansh, për të rikuperuar. Presioni ishte i madh mbi ekipin, pasi ne jemi një vend që e donim me doemos një Kupë Bote, të cilën nuk e fitonim prej shumë vitesh.

Më pas, pas humbjes gjërat ndryshuan shumë shpejt, skuadra reagoi mirë, Mesi po luante edhe më mirë, të gjithë vraponin dhe bënin gjithçka për Mesin, pasi ne jemi një skuadër e re në moshë dhe arritëm deri në atë pikë sa të gjithë donim të shihnin Mesin të fitonte Kupën e Botës, jo vetëm ne si argjentinas, por nga e gjithë bota. Ishte shumë bukur të shihje Mesin të ngrinte lart një nga trofetë më të mëdhej në botën e futbollit.

Ju keni luajtur me Mesin, mund të na tregoni diçka më tepër rreth tij?
Mesi kur shkoi në Spanjë ishte vetëm 13 vjeç dhe në Botërorin U-20 unë isha kapiteni i përfaqësueses së Argjentinës. Trajneri erdhi më mori veçmas dhe më tha se ndoshta do të marrim një djalë të vogël, që vjen nga Spanja, nuk dimë shumë për të, por luan me Barcelonën, sepse interneti nuk ishte ky i ditëve të sotme, ku ne mund të shohim çdo gjë për këdo në çdo cep të globit. Dhe më besoni, që në seancën e parë stërvitore të Mesit me ne ishte i pabesueshëm, nuk mund ta imagjinoni.

Të gjithë thamë me vete “uau… ky lojtar është i veçantë”. Nuk mund t’ia merrje dot topin, nëse ishte një për një me të, nuk kishe asnjë shans. Megjithatë në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç, ishte i qetë, i urtë. Ai nuk i njihte lojtarët, sidomos ata të kampionatit argjentinas. Megjithatë, e mirëpritëm atë. E morëm veç dhe i thamë: “dëgjo, nëse ke ardhur këtu të luash për Argjentinën, ne jemi shumë krenarë, pasi në atë kohë edhe Spanja kërkonte ta merrte që të luante me përfaqësuesen e tyre”.

Zabaleta dhe Mesi. gazeta Si, 8 qershor 2023

Më pas shkuam në Botërorin në Holandë, ku u shpallëm kampionë dhe ai fitoi “Këpucën e Artë”. Pastaj ai shkroi historinë, fitoi gjithçka me Barcelonën, Champions League, kampionate, kupa, gjithçka. Por unë e kam njohur Mesin që në vitin 2005 dhe ju nuk mund ta besoni se sa e rëndësishme ishte për të të luante për përfaqësuesen e vendit të tij. Këtë ua them edhe futbollistëve shqiptarë, pasi shumë prej tyre luajnë jashtë, larg shtëpisë së tyre, madje disa kanë lindur atje dhe nëse vijnë këtu luajnë për vendin e prindërve të tyre që janë larguar vite më parë për arsye të ndryshme.

Ne kemi një miks lojtarësh nga ata që kanë luajtur këtu dhe e njohin vendin dhe disa që kanë ikur të vegjël dhe vijnë për të luajtur për Shqipërinë, një miks që nëse arrijmë të krijojmë atmosferën e duhur, mund t’ia dalim të fitojmë diçka të madhe. Në futboll asgjë nuk është e garantuar, sepse është një sport shumë i vështirë, kështu që ne mundohemi t’i transmetojmë atyre eksperincën tonë, pasi Silvinjo dhe Doriva kanë luajtur me përfaqësuesen e Brazilit gjithashtu. Unë nuk di të them, nëse do të fitojmë ne diçka apo jo, por kjo kohë që ne jemi këtu do të jetë shumë e mirë për të ardhmen e artë të Shqipërisë.

A janë futbollistët xhelozë për njëri-tjetrin, pak më parë më the që të gjithë vrapnin për të luajtur për Mesin, po këtu te ne?
Mesi është vetëm një në Botë, ai është një gjeni. Çdo lojtar që luan me të thotë me vete: “Ok, në rregull, do të vrapoj sa më shumë të mundem që t’i pasoj Mesit, sepse ai do të shpikë diçka dhe do të shënojë.” Por Mesi është vetëm një, kështu që mendoj se në të gjitha kombëtaret e tjera në Botë, sekreti është që t’i trajtosh të gjithë në të njëjtën formë. Këtu te Shqipëria janë të gjithë njësoj për ne, jo të përfitojë diçka dikush më tepër, se luan këtu apo atje. Jo, askush nuk është si Mesi këtu.

Sigurisht, kemi lidera, si Cikalleshi, Gjasula, Bare, Ramadani, lojtarë që kanë vite eksperiencë me kombëtaren. E kuptoj që të gjithë duan të luajnë, isha pak vite më parë futbollist dhe gjithmonë doja të luaja, por isha edhe në stol, por siç e thashë edhe më parë nëse do të kesh sukses në futboll, duhet të kesh një shpirt grupi së pari. Të gjithë duhet të kuptojnë dhe pranojnë se vetëm 11 luajnë në fushë dhe të tjerët janë në stol. Por për ne edhe ai që qëndron në pankinë dhe aktivizohet 10 minuta në fund është po aq i rëndësishëm sa ai i formacionit të parë.

Nëse të gjithë e kuptojnë këtë gjë dhe krijojmë këtë frymë grupi, do të kemi shumë më shumë shanse për të pasur sukses. Por nëse dikush vjen këtu dhe nuk jep maksimumin për aq sa i kërkohet, 10 minuta, 5 minuta apo një minut, kjo nuk është e mjaftueshme dhe nuk do të mund të fitosh më asgjë. Të them të vërtetën, këtë gjë e vumë re në përgatitjet për ndeshjen me Poloninë, aksush nuk shprehu mërzi, të gjtihë dhanë maksimumin e tyre, 100%.

Por të gjithë duhet ta dinë se për ne nuk ka rëndësi nëse luan në Premier Ligë, në Turqi apo në Shqipëri, për ne janë të gjithë njësoj. Sigurisht ne duhet të marrim vendime dhe disa do ta fillojnë nga minuta e parë e janë më të kënaqur, disa do ta nisin nga pankina dhe do të donin të ishin në formacion, por kjo është normale.

Dy ndeshjet e radhës me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, na duhen me doemos pikët?
Sigurisht që po dhe për këtë po punojmë. Përpara së gjithash na duhet të mendojmë si fillim për Moldavinë. Do të jetë ndeshja jonë e parë në stadiumin tonë dhe me tifozët tanë. Janë dy mesazhe të rëndësishme, e para nga ana jonë do të punojmë për 10 ditë për të shkuar në ndeshjen kundër Moldavisë në gjendjen më të mirë të mundshme për të fituar.

Së dyti, na duhet të krijojmë një atmosferë shumë të mirë në stadium, e di që do të ketë shumë tifozë. Ndeshjet në shtëpi na duhet të kenë një atmosferë si ajo në derbin Tirana-Partizani, ku tifozët kërcejnë, këndojnë dhe padyshim do të kërkojmë 3 pikë, ato na duhen. Më pas do të na duhet të mendojmë për Ishujt Faroe.

Le të kthehemi pak tek ish-klubi juaj, Mançester Siti, pak ditë më parë fitoi dhe Kupën e Anglisë përballë Mançester Junajtid.
Çfarë të them, mënyra si luan Mançester Siti është e jashtëzakonshme. Kushdo që e do futbollin do të shohë ndeshjet e Mançester Sitit, kënaqesh duke i parë. Askush nuk është më i mirë se Siti për momentin. Jam shumë krenar për ish-klubin tim, ku kam kaluar 9 vite karrierë dhe kam fituar disa trofe atje dhe e di se çfarë do të thotë kjo gjë për klubin, që tashmë ka sërish shansin për të fituar Championsin. Pas kaq shumë vitesh që shohim Mançester Sitin të dominojë futbollin anglez, të gjithë duam që të fitojë Championsin.

Të fitosh Premier Ligën është më e vështirë se të fitosh Championsin përmend gjithmonë Guardiola?
Premier Liga është një prej kampionateve më të fortë në botë, janë për t’u luajtur 38 ndeshje dhe secila prej tyre është shumë e forte. Për këtë arsye i jap të drejtë Guardiolës, që të fitosh kampionatin që është ndër kompeticionet më të vështira. Sigurisht Championsi është gjithashtu shumë i vështirë, të duhet edhe fat përveç se të luash mirë në fushë, por këtë herë Mançester Siti ishte skuadra më e mirë.

Ndeshja e dytë me Realin e Madridit në Angli ishte e pabesueshme. Po luanin me skuadrën më të madhe në botë dhe e gozhduan, nuk i dhanë asnjë shans. Por tani në finale përballë Interit çdo gjë mund të ndodhë në futboll, por nëse Mançesteri do të luajë si në ndeshjet e fundit, është padyshim pretendent.

Keni ende kontakte me trajnerin, apo lojtarët e Mançester Sitit?
Sigurisht që po, isha në Madrid, pashë ndeshjen e parë gjysmëfinale, pasi përpara se të vija në Shqipëri isha ambasador i Mançester Sitit. Sa herë më krijohet mundësia, shkoj në Mançester dhe te klubi, pasi kam marrëdhënie shumë të mira. Kur përfundova karrierën si lojtar, ata më dhanë mundësinë të isha trajneri i U-21 të Mançesterit, po ashtu më pas shkova në Nju Jork te skuadra tjetër e tyre atje, por doja të qëndorja në Barcelonë, pasi atje kam edhe familjen.

Më pas më telefonoi Silvinjo dhe më tha, nëse doja t’i bashkohesha kësaj aventure dhe i thashë “Po” menjëherë. Njihem me Silvinjon prej shumë vitesh, kemi luajtur bashkë edhe te Mançester Siti dhe që atëherë kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë. Kur më dha këtë mundësi dhe kur kupton që do të jetë një angazhim me një ekip përfaqësues, që të jep mundësinë dhe lirinë të qëndrosh edhe me familjen, kjo është gjë shumë e mirë dhe e rëndësishme.

Këtë gjë më ka mësuar futbolli, tani kam dy djem të vegjël dhe si familje nuk donim të largoheshim nga Barcelona dhe për mua është shumë mirë që kaloj kohë këtu, por që kam edhe një linjë direkte për të fluturuar për në Barcelonë. Për momenitn familja ime qëndron në Barcelonë dhe në këtë rast që ishte nuk mund të kërkoja më tepër, por menjëherë vendosa të vij me Silvinjon.

Zabapeta dhe Pep Guardiola. Gazeta Si, 8 qershor 2023

Guardiola sot një nga trajnerët më të mirë në botë, si janë marrëdhëniet tuaja?
Sigurisht që ai është një prej tyre, por kam marrëdhënie dhe kontakte ende me Pelegrinin apo Mançinin, nuk mund t’i veçoj. Të gjithë më kanë dhënë diçka. Të gjithë kanë filozofinë e tyre dhe ishin shumë të mirë dhe kur je futbollist ke mundësi të mësosh prej të gjithëve. Pep gjithësesi mbetet i veçantë, ka luajtur te Barcelona dhe ka drejtuar për shumë vite atje dhe kur je i atij ambienti, kjo është mënyra që do të luash.

Futboll me shumë pasime, me shumë kontroll topi, futboll sulmues, mund të them se Pep është një gjeni për të bërë këtë lojë, kjo është e vetmja mënyrë se si ai e sheh futbollin. Unë kam qenë vetëm një sezon me Pep dhe kam kuptuar se është vërtet i rrallë, nga ana taktiko-teknike dhe nga mënyra se si i frymëzon lojtarët. Ai është shumë intensive, e do futbollin, në 24 orë të ditës mendon vetëm për futbollin, për këtë arsye ai është përpara të gjithëve.

Si e parashikoni finale e Championsit?
Nga këndvështrimi si trajner mendoj që do të jetë një ndeshje shumë interesante, pasi Mançester Siti luan një futboll shumë sulmues, ndërsa Interi mbron më mirë. Ata luajnë me 5 mbrojtës, plus 3 në mesfushë dhe 2 sulmues. Kjo mënyrë i bën ata të shpejtë në tranzicione më të shpejtë, por jam i sigurt që dominimi i lojës do të jetë i Mançesterit.

Përplasja e dy mënyrave të lojës për trajnerët është gjithmonë kurioze për të parë se çfarë ndodh, për spektatorët nga ana tjetër uroj që të jetë një ndeshje e mirë dhe si ish-lojtar i Mançester Sitit sigurisht që do të doja të fitonin ata.

Nga njëra anë Haland dhe tek Interi në sulm është bashkëkombasi juaj Lautaro Martinez?
Po, dy numrat 9 ndër më të mirët në botë, por mos harro Edin Xhekon, kam luajtur me të te Mançester Siti, e kam pasur shok skuadre. Po bën mirë, nuk është më i ri, por po paraqitet mirë. Nuk di çfarë të them, janë dy skuadrat me lojtarë shumë të mire, jo rastësisht janë në finale e Championsit. Në një ndeshje gjithçka mund të ndodhë, kështu që asnjëherë nuk i dihet në futboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë