Njerez

Kombëtarja shqiptare e të amputuarve, për herë të parë në Ligën e Kombeve

Gazeta Si – Futbolli është për të gjithë ata që e duan këtë lojë magjike. Shqipëria ka edhe kombëtaren e të amputuarve, që për herë të parë do të marrë pjesë në Ligën e Kombeve. Turneu do të organizohet nga Federata Europiane e Futbollit për të Amputuar, në bashkëpunim me UEFA-n, në Skoci, në datat 27-29 tetor.

Kompeticioni funksionon njësoj si ai i UEFA-s dhe organizohet për herë të parë për futbollin e të amputuarve. Ekipet pjesëmarrëse janë ndarë në 4 divizione, sipas renditjes së tyre. Çdo divizion ka 4 ose 5 ekipe, që luajnë ndeshje me sistem grumbullimi pikësh.

Kombëtarja shqiptare garon në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për të Amputuar, bashkë me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë.

Skuadra e vendit të parë ngjitet një divizion më lartë, kurse ajo e vendit të fundit zbret një divizion më poshtë. Liga e Kombeve po ashtu është një shans kualifikimi për në finalet e Euro 2024 për të amputuarit.
Kombëtaren shqiptare e të Amputuarve është krijuar disa vjet më parë nga FSHF dhe mbështetet prej saj.

Tani kjo skuadër merr pjesë për herë të parë në një turne zyrtar madhor. Lojtarët po përgatiten prej kohësh për këtë event. Federata Shqiptare e Futbollit do të mbulojë të gjitha kostot për pjesëmarrjen e kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve të Futbollit për të Amputuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë