Futboll

Koman zbulon: Kam frikë të gjuaj me kokë, te goli i finales mbylla sytë

Kingsli Koman ishte njeriu i ndeshjes në finalen e Ligës së Kampionëve mes Bajern Mynih dhe PSG-së, pasi vendosi gjithçka me golin e tij. Para finales së Superkupës së Europës ndaj Seviljes ai ka dhënë një intervistë për faqen e UEFA-s, ku francezi ka zbuluar se ka frikë nga gjuajtjet me kokë.

“Duam ta fitojmë edhe Superkupën, duam të fitojmë sa më shumë kupa të jetë e mundur. Nuk ndodh shpesh të luash një finale Superkupe, sepse më parë duhet të fitosh Ligën e Kampionëve. Tani e kemi këtë mundësi dhe do të japim gjithçka për ta fituar. Sevilja është një skuadër që pëlqen ta mbajë topin në zotërim, ashtu si pjesa më e madhe e skuadrave spanjolle, por ne jemi në formë.

Koman feston golin e finales ndaj PSG-së. Gazeta Si, 24 shtator 2020

Goli në finalen ndaj PSG-së? Ishte diçka shumë e shpejtë, topi po vinte drejt meje nga e djathta dhe nuk kisha kohë për të menduar, vendos të gjuaja me kokë. Nuk është pika ime e fortë, kam pasur gjithmonë frikë të gjuaj me kokë, por topi shkoi në rrjetë. Po, kisha frikë dhe para se të gjuaja mbylla sytë. Eshtë një refleks natyral, një instikt. Gjithmonë përpiqem t’i mbaj sytë hapur, por në momentin e fundit i mbylla. Ditën para ndeshjes ishim stërvitur për finalizimin dhe gjuajtjet me kokë, ku nuk shënova asnjë gol.

Kur gjuaj me kokë, frikësohem dhe shokët e skuadrës fillojnë të tallen me mua. Ndodh gjithmonë, por nuk ofendohem. Në atë ndeshje shkoi mirë dhe festova. Në përgjithësi nuk festoj pas një goli, sepse nuk ndjej emocione të veçanta, preferoj asistet. Pas atij goli u emocionova shumë, ishte diçka e mrekullueshme”, - tha mes të tjerash francezi i Bajernit, një nga lojtarët me më shumë trofe të fituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë